Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar se sektori mund të përballet me ndërprerje të shërbimit në rreth 450 linja urbane dhe ndërurbane në të gjithë vendin, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostove të operimit, kryesisht të karburantit.
Sipas tyre, mungesa e masave kompensuese nga institucionet po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin normal të aktivitetit, ndaj kërkohet një skemë urgjente mbështetëse për naftën, si dhe lehtësime fiskale si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH.
Operatorët theksojnë se pas takimit të zhvilluar më 1 prill dhe moszhvillimit të mbledhjes së premtuar më 7 prill, nuk ka ende një reagim zyrtar nga institucionet, duke rritur pasigurinë në sektor dhe rrezikun për reduktim apo ndërprerje të linjave të transportit publik.









