Ervin Salianji ka komentuar fitoren e opozitës në Hungari pas 16 vitesh qeverisje të Viktor Orbán, duke e përdorur këtë ngjarje si një shembull për Shqipërinë.
Ish-deputeti demokrat theksoi se “ky sistem nuk mund të ndryshohet me votë” është një mit i përhapur në Shqipëri, dhe se mund të arrihet ndryshimi kur opozita ndryshon dhe riorganizohet.
Salianji, i cili synon të garojë për kryetar të Partisë Demokratike, vuri në dukje se formula që i solli suksesin opozitës hungareze duhet të aplikohet edhe në Shqipëri.
Hungaria rrëzoi një mit që në Shqipëri përdoret çdo ditë si justifikim:
“Ky sistem nuk mund të ndryshohet me votë”
Një pushtet i përqendruar prej vitesh nga Viktor Orbán, me zgjedhje të kontestuara, media të kapura dhe oligarkë të ushqyer nga qeveria, dukej i paprekshëm.
Një histori që ngjan shumë me realitetin që kemi përballë sot me Edi Ramën!
Por ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në Shqipëri, në Hungari ndodhi një kthesë e vërtetë, Opozita nuk u mjaftua me ankesa, qarje, nuk u fsheh pas justifikimeve, nuk u dorëzua.
Ajo ndryshoi veten. U riorganizua. Zgjodhi lider të ri! Pati fuqinë të ndryshoje veten!
Riktheu besimin te qytetarët.
Denoncoi me fakte dhe mobilizoi mbështetje të gjerë popullore e mbi të gjitha, solli një energji të re përmes një lideri të ri si Peter Magyar.
Ky është mësimi i qartë, ndryshimi nuk vjen vetë, duke pritur që sistemi të bjerë.
Ndryshimi vjen kur ke kurajon ta sfidosh dhe ta ndryshosh atë.
Kjo është arsyeja pse prej kohësh kemi nisur lëvizjen për ndryshim në Partine Demokratike!
Një lëvizje që nuk ndërtohet mbi alibi, por mbi përgjegjësi.
Që nuk kërkon pushtet për vete, por besim nga qytetarët.
Që nuk frikësohet nga sistemi, por e sfidon atë çdo ditë. Sepse një e vërtetë mbetet dhe sot u rikonfirmua në Hungari; asnjë pushtet nuk është më i fortë se qytetarët e bashkuar.
Hungaria e bëri, është radha jonë!