Kryeministri Edi Rama ka reaguar në facebook pasi ditën e djeshme protestuesit u zhvendosën nga Kryeministria tek selia e PS.
Protestat kanë ardhur pas ngjarjes së Zvërnecit, teksa një qytetar është marrë zvarrë nga rojet e sigurisë private, pasi protestuesit dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë kundërshtuar ndërtimin e projektit rezidencial me vlerë 4 miliardë euro, ku sipas tyre është zonë e mbrojtur.
Lidhur me këtë situatë prej disa ditësh protestat janë zhvilluar në Tiranë, përpara Kryeministrisë të cilët me tone të larta dhe fyerje të rënda, demonstruesit kërkojnë largimin e Edi Ramës nga qeveria, duke e akuzuar si tradhëtar të kombit shqiptar dhe tregatar i pronës tek të huajt.
Postimi i Ramës
MYSAFIRËT E PAFTUAR TË NATËS NË SELINË E PARTISË SOCIALISTE
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit🤮
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhëtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhëtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek👺
Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre😫
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste🙏









