Zv.kryeministrja Albana Koçiu, sot më 17 prill nga terreni ka inspektuar kompleksin “Arlis” pranë QSUT në Tiranë, ku disa ditë më parë si pasojë e një zjarri masiv u shkrumbua totalisht, nga të cilën rreth 70 apartamente ngelën të djegura.
Koçiu është takuar edhe me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, ku dhe është shprehur se do të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë lidhje me këtë situatë.
“Fola me Bashkinë e Tiranës, do të marrin masa për një bonus qiraje pasi nuk pranojnë akomodim. Këtu ka dy elemente: hetimet për përgjegjësit penalë lidhur me situatën dhe grupi i ekspertëve teknikë që po vlerësojnë se çfarë masash duhen marrë që kjo situatë të mos ndodhë më. Kjo na shërben si një rast shumë i mirë që na sjell mësime.
Duhet të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që mund të kenë çështje lidhur me situatën e shkaktuar. Dhe e dyta, grupi i ekspertëve po vlerëson situatën edhe në nivel politikash, edhe në nivel instrumentesh. Kjo këtu ne na shërben si një rast i mirë për të nxjerrë mësime, por duhet të presim që të mbarojnë hetimet.
Është një fatkeqësi që ka prekur dhe sensibilizuar jo vetëm institucionet, por të gjithë ata që merren me ndërtim. Ju ka prekur juve në radhë të parë. Ajo që do të them sot para jush është garancia që ne do të na keni në krah deri në fund të procesit, deri sa pallati të kthehet në gjendjen për të cilën ju keni paguar”, u shpreh Koçiu.









