Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, njoftoi se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ka shënuar rritje të trafikur ajror prej 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas tij, edhe pse për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme ka ulje prej rreth 6 mijë vendesh të reja, aeroporti vazhdon të mbetet lart në renditjen rajonale. Këtë vlerësim e konfirmon edhe portali i specializuar EX-YU Aviation News.
Në muajt e parë të këtij viti, aeroportet në vend kanë shënuar rritje prej 30% të numrit të pasagjerëve dhe rreth 20% të operimeve ajrore.
Ai saqroi se vetëm këtë vit janë hapur linja të reja nga Shkupi drejt Napolit dhe Budapestit, si dhe nga Ohri drejt Milanos dhe Bratislavës. Në muajin korrik pritet të nisin fluturimet nga Ohri drejt Katovicës dhe Vroclavit, ndërsa nga Shkupi drejt Palermos dhe Algheros. Në afro dy vite, janë vendosur gjithsej 24 linja të reja ajrore drejt qendrave evropiane, një shifër rekord.
Zhvillimi i aviacionit mbetet prioritet i Ministrisë së Transportit, duke përfshirë projektin për zgjerimin e aeroportit “Shën Apostull Pavle” në Ohër.
Autoritetet presin që këtë vit numri i pasagjerëve të kalojë 3.5 milionë, ndërsa vitin e ardhshëm të arrijë deri në 4 milionë. Pavarësisht situatës me karburantet, autoritetet theksojnë se gjendja është stabile dhe trafiku ajror zhvillohet pa pengesa./ Telegrafi









