Reshjet e borës kanë mbuluar zonat malore të Kukësit, duke zbardhur fshatrat Shishtavec, Turaj dhe Novosej, dhe duke sjellë një rënie të ndjeshme të temperaturave.
Pamjet nga këto zona tregojnë një rikthim të papritur të dimrit, me trashësi bore disa centimetra. Deri tani, rrugët kryesore janë të kalueshme dhe nuk ka pasur problematika në qarkullimin e automjeteve.
Megjithatë, reshjet e borës në këtë periudhë pranverore janë të pazakonta dhe mund të ndikojnë në pemët frutore, të cilat janë në fazën e lulëzimit.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë dëme në prodhimet bujqësore. Fermerët kanë filluar mbjelljen e patates, por deri tani nuk raportohet për dëme të konsiderueshme. Situata do të monitorohet vazhdimisht.









