-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Irena Beqiraj: Na duhet një ekonomist i mirë të drejtojë ministrinë e shëndetësisë!

Kryesoret

Ministrja e Shëndetësisë, një mjeke e zonja në profesion, është një nga ministret që tërheq jo pak vëmendjen në daljet e saj publike. Një herë tha -“nuk e kam vënë re rritjen e çmimeve të ilaçeve sepse nuk kam pasur vetë nevojë për ilaçe”.

Ndërsa një herë tjetër na tha-  “po mbledhim të dhëna, të kemi të dhëna e mandej t’ju japim të dhëna”. Ndaj po e filloj këtë shkrim me disa të dhëna.

Megjithëse na është premtuar shërbimi shëndetësor falas, nga raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë – një shqiptar paguan gjithmonë e me shumë nga xhepi për shpenzimet shëndetsore.

Në 2005 shqiptarët paguanim nga xhepi 49.3% të shpenzimeve shëndetësore.  Ndërsa në 2023, shqiptarët paguan 59,7 % të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi . Ky është niveli më i lartë i shpenzimeve që paguajnë nga xhepi qytetarët në rajon edhe në Europë.

Ndërkohë,  Shqipëria shpenzon 312 euro për frymë, për kujdesin shëndetësor duke u renditur e fundit në rajon , Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe veçanërisht Mali i Zi buxhetojnë më shumë para  për sektorin e kujdesit shëndetësor.  Mali i Zi mban vendin e parë me shpenzimet më të larta me rreth 833 euro për frymë.

Bashkimi Europian, për të cilin ka filluar na flet me pasion edhe Zeqineja,  harxhon mesatarisht në kujdesin shëndetësor, 4,500 euro për frymë.

2- Në total, buxheti i Ministrisë së  Shëndetësisë këtë vit është rreth 3% e PBB-së, nga të cilat 2%  për shëndetësinë dhe 1% e PBB-së për ndihmën ekonomike.

Por plani buxhetor afatmesëm tregon se për  vitin 2028, buxheti total  i dedikuar për shëndetësinë do të ulet si në vlerë ashtu edhe si përqindje e PBB-së. Nga 53 miliardë lekë që është këtë vit, për vitin 2028 janë planifikuar 52.6 miliardë lekë, pra një rënie prej 1.4%.

Po ashtu Shqipëria ka 1.2 deri në 1.9 mjekë për 1000 banorë,   niveli më i ulët ky  në rajon dhe ndër më të ulëtit në Europë.

Ndërkohë me ritmet që po largohen mjekët edhe infermierët,  shumë shpejt do të zëmë rradhë për t’u vizituar tek veterineri, edhe kjo nuk është ironi.

Me këto të dhëna në nivel makro, dikush duhet të jetë në gjendje t’i thotë  ministres me zë të lartë se –  sistemi i kujdesit shëndetësor  falas që ajo po përpiqet të promovojë në Shqipëri nuk është i shëndetshëm , nuk është i kujdeshëm, por ç’është më e keqja  nuk është as sistem .

Për më tepër,  dikush duhet ti thotë Kryeministrit  se – në aspektin ekonomik , hartimi i politikave shëndetësore , ndërtimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe menaxhimi i spitaleve  “autonome” vetëm në letër, më shumë se mjekë  gazetarë , kimistë apo juristë kërkojnë ekonomistë të mirë.

Ekonomistët kanë njohuritë për të trajtuar problemin themelor të  burimeve të kufizuara kundrejt nevojave gjithmonë në rritje. Në kujdesin shëndetësor, kjo do të thotë optimizimi i përdorimit të fondeve edhe kapitalit njerëzor  të kufizuar për të prodhuar rezultatet më të mira të mundshme shëndetësore.

Së dyti ekonomistët mund të identifikojnë mënyrat e duhura për ta bërë kujdesin shëndetësor më të përballueshëm, më të arritshëm dhe më efikas.

Së treti tregu i kujdesit shëndetësor edhe ai farmaceutik  janë shumë specifik edhe shpesh dështojnë njësoj, si kur rregullohet ashtu edhe kur deregullohet me tepri .  Ekonomistët mund të ndihmojnë në hartimin e politikave që:  harmonizojnë sigurimin privat,  menaxhojnë ofertat konkurruese dhe  trajtojnë anomalitë e tregut .

Si në çdo vend edhe në Shqipëri , të varfrit janë në mënyrë disproporcionale më  të pashëndetshëm edhe kanë nevojë më shumë për shërbim shëndetësor se pjesa tjetër e shoqërisë . Janë sërisht  ekonomistët që kanë njohuritë e nevojshme për të matur barrën e kujdesit shëndetësor në mënyrë që më pak shqiptarë të bien nën kufirin e varfërisë për shkak të shpenzimeve shëndetësore të pa mbuluara .

E pra , në vend të mjekes ekselente e cila na  thotë se  “e pamundura  bëhet e mundur edhe kur është e mundur për t’u bërë e pamundur ” na duhet një ekonomist i mirë në krye të ministrisë së shëndetësisë .

Një ekonomist i mirë,  që edhe sëmuret  ndonjëherë , duke pasur kështu mundësinë që edhe me anë të provave rastësore të marr të dhëna për rritjen e kostove të ilaçeve .

Një ekonomist nga ata që ka guximin ti thote Kryeministrit edhe  publikut që me kapacitetet financiare edhe njerëzore  që kemi nuk ofrojmë dot gjithçka falas, përkundrazi po vazhduam kështu në onkologjik  do të marrin shërbimin vetëm ata që paguajnë  më shumë nën dorë.

Një ekonomist  i mirë që të ketë aftësinë të udhëheq  hartimin  edhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor të përballueshëm për të gjithë  i cili promovon përgjegjësinë individuale për shëndetin  dhe shmang mbështetjen e tepërt tek buxheti i shtetit; angazhon  konkurrencën dhe forcat e tregut për të përmirësuar shërbimin dhe për të ulur koston; e  mbi te  gjitha një sistem ku shteti nuk gënjen por qartëson publikun për kapacitetet e tij të financimit duke përcaktuar qartë se cilat shërbime do të subvencionojë edhe cilat  janë shtresat që mund të mbeshteten gjerësisht në subvencionimet e tij  .

Mos i hiqni shërbimit shëndetësor një mjeke të mirë, duke i dhënë edhe hartimit të  politikave shëndetësore një mundësi !

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit