Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, ka komentuar protestat në vend, duke i lidhur ato me ndikimin e rrjeteve sociale dhe informacionit të paverifikuar. Ai ka përdorur metaforën e personazhit Fabrice del Dongo nga Stendali për të ilustruar, sipas tij, mënyrën se si iluzionet dhe narrativat e pjesshme mund të deformojnë perceptimin e realitetit.
Sipas Ramës, rreziku qëndron te krijimi i bindjeve të forta mbi informacione të pakonfirmuara, të amplifikuara nga algoritmet dhe rrjetet sociale.
“Kur emocionet ushqehen nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti dhe nga slogane që shpërndahen më shpejt se faktet, krijohet një realitet i deformuar. Algoritmet e rrjeteve sociale shpërblejnë atë që trondit, frikëson apo ngjall zemërim, dhe jo atë që shpjegon realitetin. Në këtë mënyrë, idealizmi dhe bindjet e sinqerta rrezikojnë të shndërrohen në një iluzion që e shkëput njeriun nga faktet dhe nga kuptimi i vërtetë i situatës,” është shprehur Edi Rama.









