Deputetja e Partisë Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi lidhur me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, duke theksuar se Shqipëria ka pësuar një tjetër rënie në renditjen për lirinë e shtypit.
Ajo e cilësoi këtë si një tregues të qartë të largimit të vendit nga standardet demokratike europiane dhe rritjen e presionit ndaj gazetarëve dhe medias.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho
Të nderuar qytetarë!
Çdo ditë lajme gjithmonë e më negative vijnë për Shqipërinë, demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve.
Sapo është bërë publik lajmi se Shqipëria ka pësuar sërish rënie në renditjen ndërkombëtare për lirinë e shtypit.
Rënia është e pandalshme nga viti në vit dhe sërish ka një rënie me 3 vende sipas Reporterëve pa Kufij, dhe ky është një tregues i qartë se vendi mjerisht ynë po largohet gjithmonë e më shumë nga standardet normale demokratike europiane dhe po zhytet në një autokraci mafioze elektorale.
Në një dekadë, kjo rënie është dramatike dhe përbën një kambanë alarmi se demokracia është në udhëkryqin më të rrezikshëm të 35 viteve të pluralizmit.
Në kontrast të fortë me këtë, përkundrazi Kosova ka shënuar rritje në këtë raport, duke përmirësuar pozicionin e saj dhe duke dëshmuar përparim në drejtim të lirisë së saj dhe standardeve demokratike. Ky krahasim e bën edhe më të dukshëm prapakthimin e Shqipërisë.
Pas raportit të “Transparency International”, ku Shqipëria shënoi një përkeqësim të ndjeshëm duke rënë me 11 vende në renditjen për korrupsionin, ishte e pritshme që edhe raporti i “Reporterëve pa Kufij” të konfirmonte përkeqësimin e lirisë së medias.
Raporti evidenton se gazetarët në Shqipëri përballen çdo ditë me pengesa dhe vështirësi ekstremalisht serioze për të marrë informacion. Institucionet publike vazhdojnë të funksionojnë si bunkerë me mungesë totale transparence, duke penguar të drejtën e ligjshme të qytetarëve për t’u informuar.
Po ashtu, raporti nënvizon presionin në rritje ndaj gazetarëve. Gazetarët, sidomos ata kritikë, përballen me presion politik, tentativa për diskreditim, deri edhe me ndëshkime të çdo lloji ndaj tyre. Kjo krijon një klimë frike dhe pasigurie, që dëmton drejtpërdrejt thellësinë dhe vërtetësinë e informimit publik.
Shqipëria është ndër vendet me presionin më të lartë ekonomik ndaj medias, ku reklamat dhe fondet publike përdoren si mekanizëm kontrolli dhe ndikimi, dhe jo si mjete për informim të pavarur.
Është tepër kritike të evidentohet se në këtë raport theksohet se, edhe për shkak të disa vendimeve gjyqësore, mediave u është kufizuar raportimi për çështje të ndjeshme me interes publik.
Ndaj, edhe njëherë theksojmë me shumë forcë se është detyrim i pakapërcyeshëm transparenca maksimale për procesin e gjykimit ndaj ish Kryeministrit, ish Presidentit dhe ish Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, si një çështje me interes të lartë publik.
Transparenca është detyrim ndaj qytetarëve.
Parimi që seancat gjyqësore janë të hapura për publikun duhet të zbatohet plotësisht në këtë proces. Duhet të garantohet transmetimi i drejtpërdrejtë (live) i të gjithë gjykimit deri në përfundim.
Në funksion të transparencës, çdo media dhe gazetar duhet të ketë mundësinë ta ndjekë dhe ta transmetojë këtë proces pa asnjë kufizim.
Transparenca dhe llogaridhënia përpara qytetarëve shqiptarë janë detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.
Sot nuk ka prioritet më të rëndësishëm për Shqipërinë sesa lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i transparencës në qeverisje.
Shqipëria, që sot negocion grup-kapitullin e themeleve, i cili përfshin shtetin e së drejtës, demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore të njeriut dhe lirinë e mediave, veçanërisht lirinë e shprehjes, i ka këto detyrime për t’i përmbushur jo thjesht për procesin e integrimit, por mbi të gjitha për qytetarët e saj.
Pa garantuar një nga liritë themelore, pra lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, nuk mund të ketë integrim në vlerat europiane ku ne aspirojmë.
Të gjithë e dinë se narkoqeverisjen e tmerron transparenca, ndaj edhe ne nuk do heqim dorë dhe me vendosmëri e në mënyrë të palëkundur do ta kërkojmë atë deri në fund dhe me çdo mjet e formë demokratike.
Faleminderit!









