Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot, 3 maj, drejt Armenisë, ku do të marrë pjesë të hënën në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Jerevan.
Ai merr pjesë në darkën e mirëseardhjes të shtruar nga Presidenti armen, Vahagn Khachaturyan dhe kryeministri Nikol Pashinyan.
Samiti i Komunitetit do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që Kryeministri i Kanadasë Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend jo-europian merr pjesë në takim.
Qëllimi i samitit është që të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje me interes të përbashkët, si dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit europian.
Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.
Ditën e hënë, në nisje të Samitit, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të priten nga Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan. Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri i Republikës së Armenisë Nikol Pashinyan.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.









