Derisa tensionet në Ngushticën e Hormuzit po rriten dhe Uashingtoni po u bën trysni aleatëve ta rrisin angazhimin, debati nuk ka të bëjë më vetëm me atë nëse NATO-ja i ka kapacitetet për të kontribuar, por nëse aleanca mund të përballojë një tjetër test të madh të sigurisë pa i thelluar përçarjet transatlantike.
Në qendër të këtij debati është një mekanizëm që deri tani ka munguar në diskutim: Neni 4, klauzola e konsultimeve e NATO-s, e cila ua mundëson aleatëve të mblidhen zyrtarisht kur një anëtar beson se siguria, integriteti territorial ose pavarësia politike e tij është e kërcënuar.
Për gjeneralin me katër yje në pension, Philip Breedlove, ish-komandant Suprem i Aleatëve në Evropë i NATO-s (SACEUR), mungesa e konsultimeve është pjesë e problemit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), më 5 maj, ai tha se ajo që disa e paraqesin si një “test iranian” për NATO-n është gjithashtu mundësi për ta riformatuar mënyrën se si aleanca menaxhon krizat që dalin jashtë teatrit të saj tradicional, por që gjithsesi kanë pasoja të drejtpërdrejta strategjike.
Radio Evropa e Lirë: A po shohim një “test iranian” përcaktues për NATO-n apo një moment që mund t’i ekspozojë kufizimet e saj? Duke pasur parasysh pritshmëritë e Uashingtonit dhe ndarjet mes aleatëve, çfarë mund të bëjë realisht NATO-ja dhe cilat janë kufizimet e saj?
Phillip Breedlove: Siç e dini, ne nuk e kemi përdorur kurrë Nenin 4 në NATO për këtë veprim. Këshilla ime për të gjithë është të tërhiqemi nga të gjitha taktikat e presionit dhe gjuha e ashpër, dhe të ulemi e ta shohim këtë si një mundësi. Çfarë mund të bëjmë së bashku? Cilat pjesë mund t’i sjellë NATO në këtë “enigmë”, dhe nëse është e nevojshme, madje të kërkojmë një konsultim sipas Nenit 4, në mënyrë që NATO-ja të shohë se është e angazhuar në mënyrat siç supozohet të angazhohet kur merret me NATO-n.
Pasi të ulemi, besoj se mund të gjejmë shumë fusha ku NATO-ja mund të bëhet pjesë e operacionit, dhe shpresoj që edhe duhet të bëhet pjesë e tij. Por, çelësi është të ndalet qasja e ashpër, të ndalet e gjithë retorika në gazeta, të fillojnë konsultime reale në nivel bashkëpunimi dhe të kërkohen mundësi, duke e parë këtë si një mundësi pozitive për të ardhmen tonë së bashku.
Nëse NAC nuk vendos unanimisht të mbështesë operacionin, mund të ketë një “koalicion të vullnetit” që merr pjesë nën flamurin e NATO-s. Pra, gjithçka ka të bëjë me koordinim të duhur dhe nivel bashkëpunimi, duke kërkuar mundësi dhe duke ecur përpara së bashku, në vend që të zihemi në gazeta.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të kontribuojnë realisht ushtritë evropiane në këtë mjedis? Dhe, në aspektin detar, a sjellin flotat evropiane kapacitete kritike për çminimin që SHBA-ja nuk i ka aktualisht në këtë teatër?
Phillip Breedlove: Nuk jam i sigurt që SHBA-së “i mungon” vërtet. Ne nuk po e përdorim shumicën e forcës sonë atje. Mund të angazhohen më shumë forca. Por, mendoj se SHBA-ja po kërkon që vende të tjera në botë që përfitojnë ose nuk përfitojnë nga rrjedha e naftës të bashkohen dhe të ndihmojnë në këtë proces.
Po, ka disa marina të NATO-s me mjete shumë të afta detare dhe sisteme shumë të sofistikuara kundër raketave. Dhe, kemi dy grupe të përhershme të çminimit detar që janë gjithmonë në gatishmëri.
Pra ka mjete brenda NATO-s që, nëse NATO angazhohet siç duhet dhe arrihet marrëveshje, mund të jenë pjesë shumë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje./ REL









