Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi thirrjen për vitin 2026 të Programit të Vetëpunësimit, një iniciativë që mbështet punëkërkuesit e papunë në krijimin e bizneseve të tyre.
Programi synon të nxisë sipërmarrjen, të krijojë vende të reja pune dhe të ofrojë trajnim dhe mbështetje financiare për individët që kanë ide për projekte ekonomike.
“Programi i Vetëpunësimit është ndërtuar për të nxitur sipërmarrjen dhe për të mbështetur konkretisht të rinjtë, gratë dhe grupet më të cenueshme që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes një biznesi. Qëllimi ynë është që të shoqërojmë çdo ide nga faza fillestare deri në realizimin e saj, duke ofruar trajnim, këshillim dhe mbështetje financiare. Ky program ndërhyn në një moment vendimtar për individët që kanë një ide, por nuk disponojnë mjetet për ta kthyer atë në një sipërmarrje funksionale. Përmes këtij instrumenti, ne synojmë të fuqizojmë të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin të investojnë në Shqipëri, duke i pajisur me aftësi konkrete dhe njohuri që i lejojnë të zhvillojnë bizneset e tyre dhe të krijojnë vende pune të reja. Programi nuk është i dedikuar vetëm për individët që kthehen nga emigracioni, por për të gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend. Aplikoni, aplikoni, aplikoni nuk keni asgjë për të humbur, por shumë për të fituar, si njohuri, përvojë dhe mundësi reale për të realizuar idenë tuaj.”









