Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku një automjet ka përfunduar pranë hyrjes së godinës së Kryeministrisë.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka dalë nga automjeti menjëherë pas ndalimit dhe është afruar te dera kryesore e institucionit, të cilën e ka goditur me shkelma.
Më pas ai është ulur përpara hyrjes së godinës, ndërsa gardistët i kanë kërkuar të largohej nga zona.
Raportohet se personi nuk i është bindur menjëherë urdhrit të efektivëve, duke qëndruar aty për disa minuta, deri në ndërhyrjen e forcave të sigurisë.
Deri tani nuk dihen rrethanat dhe motivet e këtij veprimi, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për ngjarjen. Nga incidenti nuk raportohen persona të lënduar.









