Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një videomesazhi akuzoi kryeministrin Rama se në “monologun e tij të së dielës” tentoi të fshehë raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke mos përmendur asnjë nga problematikat e ngritura aty për zgjedhjet, korrupsionin dhe procesin e integrimit europian.
Lideri demokrat u shpreh se, raporti damkos zgjedhjet në Shqipëri si një proces ku u zhduk kufiri mes shtetit dhe partisë, ku pati blerje vote dhe financime të paligjshme. Ai theksoi se në raport kërkohet heqja pa pengesa e imunitetit dhe goditet korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë.
Kryedemokrati tha se dokumenti i Parlamentit Europian ngre shqetësime edhe për mungesën e rolit të parlamentit në procesin e integrimit, situatën e mediave, trajtimin e minoriteteve dhe nivelin e lartë të varfërisë tek fëmijët shqiptarë.
Ai u ndal edhe tek kritikat e raportit ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të minuar integrimin europian të vendit.
Po ashtu, Kryetari i PD akuzoi Ramën se shmangu çdo koment për raportin IBAR dhe diskutimet mes vendeve anëtare të BE-së, duke theksuar se prej muajsh ndaj Shqipërisë po shtohen kushte dhe kërkesa të reja në rrugën drejt integrimit.
Në fund, Berisha ironizoi deklaratat e Ramës për mediat dhe startup-et, duke e akuzuar se kontrollon shumicën e mediave në vend dhe përdor propagandën për të manipuluar opinionin publik.









