Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës së gjykatës për dosjen Meta-Kryemadhi, duke theksuar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore ndaj tij dhe ka pranuar se pagesa për McKeon Group ka qenë ligjore.
Meta denoncon gjithashtu atë që e quan si “lajme të rreme” të mediave ndërkombëtare, të cilat sipas tij kanë shërbyer për të ndërtuar akuza të pabazuara dhe për të justifikuar izolimin e tij politik.
Reagimi;
Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.
/5pyetjet.al









