Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka paraqitur një paketë ndryshimesh në rregulloren parlamentare, me qëllim lehtësimin e procedurave për miratimin e ligjeve, diskutimin e çështjeve jashtë rendit të ditës dhe organizimin më fleksibël të seancave dëgjimore me ministrat.
Konkretisht në nenin 28 të projektligjit thuhet se megjithëse si rregull Kuvendi nuk mund të shqyrtojë më shumë se 3 projektligje me procedurë të përshpejtuar në 9 javë punime, nga ky rregull përjashtohen ligjet që kanë të bëjnë me negociatatat e anëtarësimit në BE.
“Në fund të pikës 5 shtohen fjalët “me përjashtim të projektligjeve që synojnë përafrimin e legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, kur shqyrtimi i tyre është i nevojshëm për respektimin e afateve që rrjedhin nga procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në draftin e Peleshit.
Një tjetër propozim ka të bëjë me ndryshimin e rendit të ditës për seancat plenare. Aktualisht për të vendosur ose për të diskutuar në seancë ccështje që nuk janë në rendin e ditës duhet miratimi nga 3/5 e deputetëve të pranishëm.
Me ndryshimet e propozuara, do të kërkohet vetëm gjysma e deputetëve të pranishëm. “Për të diskutuar ose vendosur në seancë plenare për çështje që nuk janë në rendin e ditës, Kuvendi merr vendim me jo më pak se shumicën e deputetëve të pranishëm. Propozimet për ndryshimin e rendit të ditës paraqiten me shkrim nga jo më pak se 10 deputetë, nga një kryetar i grupit parlamentar vetëm para fillimit të seancës, para fillimit të diskutimit të një pike të rendit të ditës ose kur është pezulluar diskutimi. Në rastet kur kërkesën nuk e bën grupi parlamentar, kërkesa paraqitet nga një deputet dhe grupi mbështetës prej 10 deputetësh ngrihen në këmbë”, thuhet në pikën 2 të nenit 31 të propozuar.
Opozitës duket se i është dhënë një mundësi më shumë në komisionet parlamentare për të zhvilluar seanca dëgjimore me ministrat, brenda një kohe të shkurtër.
Në nenin 36, është shtuar një fjali, sipas të cilës “Kur seanca dëgjimore kërkohet nga 1/3 e anëtarëve të komisionit, data dhe ora e mbledhjes së komisionit vendoset nga kryetari i komisionit brenda 5 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës.”.
Në relacionin e Kuvendit lidhur me ndryshimet e propozuara të rregullores veccohen risitë kryesore. “Transkriptimi i plotë i mbledhjeve të komisioneve, kartela “BE” për projektligjet europiane, monitorimi i rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe saktësimi i afateve procedurale, shërbejnë si instrumente konkrete për modernizimin institucional të Kuvendit dhe për forcimin e kapacitetit të tij legjislativ dhe mbikëqyrës. Marrë së bashku, këto amendamente i japin Rregullores qartësi, funksionalitet dhe koherencë normative, të cilat janë parakushte të domosdoshme për një parlament modern dhe demokratik”.









