Sot përfundon afati për regjistrimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Procesi, i nisur më 6 maj, u mundëson votuesve nga diaspora të votojnë ose përmes postës, ose drejtpërdrejt në përfaqësitë diplomatike.
Votimi me postë nis më 25 maj dhe zgjat deri më 6 qershor, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike zhvillohet një ditë para zgjedhjeve, më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Nga 6 maji, qytetarët mund të ndryshojnë qendrën e votimit brenda komunës, ose të verifikojnë dhe kundërshtojnë çdo pasaktësi në Listën Votuese. KQZ i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kontrollojnë qendrën e tyre dhe të përfundojnë procedurat brenda afatit.
Lista Preliminare e Votuesve për zgjedhjet e këtij viti përmban 2,092,202 emra, ose 15,912 më shumë se zgjedhjet e mëparshme. Ndërkohë, për këtë garë janë certifikuar 902 kandidatë nga 21 subjekte politike.









