Sali Berisha ka reaguar pas rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike, duke shprehur mirënjohje për mbështetësit dhe duke dhënë një mesazh edhe për ata që nuk e kanë votuar.
“Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike. Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.
I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan. Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik. Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë. Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë proces”, tha Berisha.









