-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

85% e bizneseve shqiptare drejt falimentit?

Kryesoret

Nga retorika politike, çështja e integrimit europian ka nisur të hyjë në fazën e vlerësimeve për përmbushjen e kushteve të sigurisë. Të parët që duhet të kalojnë testimin janë 904 operatorë të produkteve ushqimore.

Me një listë detyrash në dorë, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) po troket derë më derë te çdo biznes për dhënien e vlerësimeve në përmbushje të standardeve që kërkon Bashkimi Europian (BE).

Teksa për bizneset nisi përballja me zgjidhjen e ushtrimit ekonomik më të vështirë të këtyre 30 viteve tranzicion. Pas vlerësimit të bërë nga AKU bizneset po klasifikohen në 4 kategorizime (nga Klasa I deri te Klasa IV). Procesi i vlerësimit do të përfundojë më 31 korrik 2026.

Në sektorin e përpunimit të qumështit, ndër të parët që po vlerësohen, frika e përpunuesve është përsëritja e modelit bullgar.

Gjatë procesit të anëtarësimit të Bullgarisë në BE, në vitet 2005-2009, rreth 60 deri në 70% e bizneseve të vogla të përpunimit të qumështit u mbyllën. Dalja e tyre nga tregu erdhi pasi nuk arritën të përshtaten me standardet e BE-së në fushat e sigurisë ushqimore, rinovimin e teknologjisë dhe për mjedisin.

Taulant Pupa, drejtues i kompanisë së përpunimit të qumështit “Vita 2001” mendon se modeli bullgar është referenca kryesore, për mënyrën se si do të ndërtohet procesi i integrimit në sektorin e qumështit në Shqipëri.

Ai pohon se problemi më i madh nuk është mungesa e standardeve te teknologjia e prodhimit apo gjurmueshmëria e mallrave të bulmetit, por te trajtimi i mbetjeve dhe i ujërave të ndotura brenda fabrikave dhe baxhove.

“Kompania jonë, prej vitesh, – për investimet e kryera që kanë mundësuar përmbushjen e standardeve për prodhimin e produkteve të bulmetit sipas kërkesave të BE-së -, ka pasur si referencë modelin bullgar. Gjatë procesit të integrimit në këtë shtet pati mbyllje masive të kompanive të përpunimit të qumështit, veçanërisht dhe të baxhove të vogla.

Dhe një nga kërkesat më të forta të BE-së në atë kohë ishte përmbushja e kritereve mjedisore, për trajtimin e ujërave të ndotura dhe të mbetjeve për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar në prodhim.

Është e realizueshme, por nëse investohet me teknologjinë e duhur dhe përballohet kostoja. Pikërisht ky do të jetë shkaku kryesor që mund të sjellë falimentimin e shumë bizneseve në vend, përfshirë edhe struktura të konsoliduara në teknologji dhe gjurmueshmëri që nuk plotësojnë kushtin për trajtimin e mbetjeve”.

Z.Pupa llogarit se kostoja për plotësimin e standardit mjedisor është e lartë, veçanërisht për baxhot dhe fabrikat e vogla, që do t’u kërkohet si investim i menjëhershëm dhe jo i zbatuar gradualisht ndër vite.

“Kostoja për vendosjen e një impianti që përpunon mbetjet e industrisë së qumështit në një baxho kushton rreth 80 mijë euro, ndërsa për një fabrikë të madhe, deri në 600 mijë euro. Për shumë biznese të vogla, këto investime janë praktikisht të papërballueshme. Një baxho nuk arrin t’i përballojë këto kosto.

Mendoj se këtu duhet të ndërhyjë shteti për investimet dhe të ndihmojë baxhot që punësojnë njerëz, që të mos mbyllen”.

AKU, vlerësime për sigurinë ushqimore, bizneset po kategorizohen në 4 Klasa

Për rreth 4 muaj, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) do të vlerësojë 904 operatorë ushqimorë për përmbushje të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesës së Bashkimit Europian.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar Ushqimor, Blerina Gjylameti, në intervistën për “Monitor” shpjegon se vlerësimi ka nisur më 14 prill dhe deri tani ka përfunduar për 225 biznese.

“Procedura e vlerësimit dhe kategorizimit ka nisur më datë 14 prill dhe do të vazhdojë deri në datë 31 korrik 2026. Qëllimi i procesit të kategorizimit është identifikimi i stabilimenteve që janë në përputhje me kërkesat ligjore:

(Kategoria 1) – Stabilimentet që rezultojnë në përputhje të plotë me standardet e BE-së. (Kategoritë 2, 3 dhe 4) – Klasifikimi në nënkategori do të shërbejë për të përcaktuar nivelin dhe shkallën e mospërputhshmërisë. Nga ana tjetër, duhen llogaritur burimet dhe afati i nevojshëm për menaxhimin dhe korrigjimin e problematikave të konstatuara, si dhe procedurat që duhen ndjekur për zbatimin dhe monitorimin e procesit të përmirësimit.

Respektimi i kërkesave të sigurisë ushqimore, sipas legjislacionit në fuqi, është i detyrueshëm pavarësisht rezultatit të kategorizimit dhe në rastet kur konstatohet se një ushqim paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit, do të ndërmerren masa të menjëhershme, nga trupat vleresuese.

Në mënyrë të menjëhershme do të nisë procedura e inspektimit me qëllim ndalimin e hedhjes së produkteve të dëmshme në treg.

Kategoria 1: klasifikohen stabilimentet që ushtrojnë aktivitet në përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.

Kategoria 2: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të vogla që mund të zgjidhen gjatë një periudhe të shkurtër kohore (3-6 muaj).

Kategoria 3: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të konsiderueshme (lidhur me planimetrinë, infrastrukturën e ndërtimit, të cilat kërkojnë punime ose rinovime të mëtejshme dhe burime financiare të konsiderueshme ose stabilimentet që janë dekategorizuar nga kategoria 2) që mund të përmirësohen për një periudhë kohore më të gjatë se ajo e kategorisë 2.

Për këto stabilimente do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhjeve në një fazë të mëvonshme.

Kategoria 4: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri madhore dhe stabilimenti: përbën rrezik të konsiderueshëm për shëndetin; nuk duhet të hedhë produkte në treg; duhet të mbyllet sepse nuk është në përputhje me legjislacionin kombëtar; nuk mund të arrijë standardet e BE-së. Per kategorinë 4, AKU merr masa për mbylljen e stabilimentit”.

Znj. Gjylameti theksoi se krahas vlerësimit, inspektorët po japin edhe udhëzime të detajuara për përmirësimin e situatës, për rastet kur disa prej standardeve rezultojnë të paplotësuara. Afati maksimal i përmirësimeve është deri në një vit.

Në përfundim të procesit, ku edhe AKU do ta ketë më të qartë situatën për sigurinë ushqimore, pritet të hartohet Strategjia Kombëtare, ku sipas zonjës Gjylameti do të jetë për zgjidhjen e problemeve.

“Vlerësimi dhe kategorizimi realizohen nëpërmjet përdorimit të listave të verifikimit, të personalizuara sipas veprimtarive specifike për stabilimentet ushqimore. Listë-verifikimi do të plotësohet me komente në çdo rubrikë, pavarësisht nëse janë identifikuar mospërputhshmëri ose jo. Duke orientuar kështu OBU-të, mbi masat që duhet të marrin për përmirësimin e stabilimenteve.

Pasi të kemi rezultatet e plota, në një fazë të mëvonshme, për stabilimentet e kategorisë 3 do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhshmërive. AKU mbështetet në ekspertizën teknike të GIZ dhe projektit EUforFoodSafety, të cilët po asistojnë harmonizimin e procedurave, rritjen e standardeve, kapaciteteve dhe informimin”, theksoi zonja Gjylameti.   

Nisur nga përvoja e vlerësimit të kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka shpjegon në mënyrë të detajuar për “Monitor” se si AKU po vepron me vlerësimet për përmbushjen e standardeve të BE-së. “Sistemi i kontrollit që po zhvillon AKU është mjaft rigoroz. Inspektorët janë të pajisur me një ‘check list’.

Pas vlerësimeve, bizneset kategorizohen në katër klasa. Te “Klasa I” kategorizohen kompanitë që mund të shesin menjëherë në Bashkimin Europian. Në Shqipëri, përjashtuar sektorin e prodhimeve të produkteve me origjinë shtazore, te ‘Klasa I’ po kategorizohen eksportuesit.

Deri tani, për shkak të mungesës së përafrimit të legjislacionit, kompanitë vendase të produkteve me origjinë shtazore nuk eksportojnë në shtetet e Bashkimit Europian. Por kjo nuk do të thotë që ofrojnë produkte ushqimore jo të sigurta, pasi ata eksportojnë në shumë shtete të tjera, përfshirë edhe SHBA.

Te ‘Klasa II’ po kategorizohen kompanitë që hasin probleme të vogla, por të cilat janë të zgjidhshme brenda afatit 3-mujor. Te ‘Klasa III’ po klasifikohen kompanitë që duhet të plotësojnë standardet nëpërmjet investimeve që zgjasin më shumë se 3 muaj.

Te ‘Klasa IV’ janë kategorizuar bizneset që nuk përmbushin standardet e sigurisë jo vetëm për tregun e BE-së, por as për tregun e brendshëm. Kjo ka sjellë mbylljen e menjëhershme të tyre nga AKU”.

Procesi i kontrollit nuk do të kufizohet vetëm nga institucionet shqiptare. Pas fazës së parë, në vend do të vijnë edhe trupat inspektuese nga BE, për verifikime me bazë risku.

“Vlerësimet po kryhen nga trupa rajonale e inspektorëve, në vijim do të inspektohen edhe nga trupa qendrore. P.sh., nëse një kompani është kategorizuar te ‘Klasa II’ dhe trupa qendrore e klasifikon te ‘Klasa III’, vlerësimi do të nisë nga e para për të gjithë grupin e bizneseve që kjo trupë rajonale ka vlerësuar.

Të njëjtën procedurë do të ndjekin edhe trupat inspektuese të BE-së. Në bazë risku, do të kontrollojë në terren vlerësimet e AKU-së”, thotë ai.

Për pjesën dërmuese të kompanive të sektorit, zoti Ndreka thotë se faza e parë po konsiderohet si ushtrim për vlerësim të situatës që iu shërben jo vetëm drejtuesve të bizneseve, por edhe për vetë institucionet shtetërore. Evidentimi i qartë i situatës, sipas tij, do të shërbejë edhe për përfitime të fondeve ndihmë që mund të jepen nga BE në mbështetje të sektorëve prodhues.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave paraprake të Shoqatës së Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, 10 deri në 15% e subjekteve të sektorit të përpunimit të qumështit janë klasifikuar te “Klasa IV”, çka nënkupton se nuk përmbushin as standardet e sigurisë për të tregtuar në vend. Për rrjedhojë këto biznese, kryesisht baxho të vogla, janë mbyllur nga AKU.

Vetëm 10–15% e bizneseve konsiderohen të përgatitura

Teksa Shqipëria ka hyrë drejt fazës konkrete të vlerësimit, Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë (BPSH) dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) ngrenë alarmin për nivelin e ulët të bizneseve shqiptare që kanë deklaruar se janë të përgatitura me standardet e BE-së.

Sekretari i përgjithshëm i BPSH-së, zoti Arben Shkodra, shpjegon se që të mbijetojnë, për të gjithë operatorët do të jetë i detyrueshëm transformimi për përshtatjen e standardeve, përfshirë ato për sigurinë ushqimore, teknologjisë së prodhimit, sistemin e gjurmueshmërisë që zbatojnë, mbrojtjen e mjedisit, certifikimet e punësimit etj.

Por në këtë fazë, sipas tij, shumica e bizneseve nuk kanë as informacionin dhe as kapacitetet financiare për të realizuar transformimin që kërkon integrimi në BE.

“Bazuar në një analizë paraprake të bërë nga Ministria e Ekonomisë, sipas vetëdeklarimeve të bizneseve, rezulton se rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitur për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Rezulton një kategori tjetër ku përfshihen kompanitë që kanë probleme, por të zgjidhshme. Dhe është një tjetër kategori, ku përfshihet numri më i madh i bizneseve që nuk përmbushin asnjë standard teknik për të qenë pjesë e tregut europian, por që edhe nuk kanë dijeni sesi do t’i plotësojnë”.

Z. Shkodra thotë se nga procesi i parë i certifikimit, sektori më i goditur do të jetë përpunimi industrial ushqimor.

“Nga një analizë e Ministrisë së Ekonomisë, por edhe nga vlerësimet e kryera prej kohësh në terren nga shoqatat e biznesit, gjykojmë se sektori që do të goditet më shumë nga procesi i parë i vlerësimit dhe certifikimit të standardeve të BE-së, do të jenë degët e nënsektorit të përpunimit industrial ushqimor.

Përfshirë sektorët, si: pijet alkoolike dhe joalkoolike, produktet ushqimore që prodhohen, tregtohen dhe përpunohen nga frutat, perimet, vaji i ullirit, brumërat, mishi dhe nënproduktet e tij, peshku etj.

Aktualisht, vëmendja kryesore e BE-së është identifikimi dhe vlerësimi i të gjithë sektorëve dhe nënsektorëve të industrisë ushqimore, me qëllim që ato të integrohen brenda standardeve ekonomike dhe të garantohet siguria ushqimore për konsumatorin europian.

Ne vlerësojmë që edhe nënsektorë të përpunimit industrial joushqimor do të kenë mjaft probleme. Sektori i ndërtimit do të kalojnë në një filtër shumë të dendur të BE-së, pasi duhet të garantohet që jo vetëm materialet që përdoren të jenë të bazuara mbi eurokodet, por edhe procesi i ndërtimit në kantiere të zhvillohet mbi rregulla shumë strikte.

Për rrjedhojë, të gjitha kompanitë shqiptare duhet të nisin punën për plotësimin e standardeve.

Dy janë fjalitë kryesore në integrim: arritja e konkurrueshmërisë dhe transformimi. Pa transformim nuk mund të arrihet konkurrueshmëria”.

/ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit