Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, me anë të një postimi në facebook përmes strukturave zyrtare të drejtorisë së burgjeve ka njoftuar për vizitën e parë që ka mbajtur me homologun e tij Ismail Dibrani në Kosovë.
Postimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Vizitën e parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Adriatik Kupi e zhvilloi me homologun e tij në Kosovë, z. Ismail Dibrani.
Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe avancimin e praktikave bashkëkohore në sistemin penitenciar, me fokus rritjen e standardeve dhe kapaciteteve institucionale.
Një vlerësim i veçantë iu shpreh edhe përfaqësuesve amerikanë të ICITAP-it për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e inteligjencës penitenciare dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në rajon.
Nga ana e tij, z. Ismail Dibrani i uroi homologut të tij suksese në detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të institucioneve që drejtojnë.









