Ka ndërruar jetë Neki Dredha, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës në vitet 1998–2000, njëkohësisht mjek me një kontribut të gjatë në sistemin shëndetësor të qytetit.
Dredha njihej si një nga figurat e njohura të mjekësisë në Vlorë, ku shërbeu për vite me përkushtim. Krahas profesionit të mjekut, ai mbajti edhe detyrën e drejtimit të Bashkisë së Vlorës në fund të viteve ’90.
Në vitin 2013, ai u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës” për kontributin e dhënë në shërbim të komunitetit dhe qytetit.
Përveç angazhimit në mjekësi dhe politikë lokale, Dredha ka qenë aktiv edhe në fushën e shkrimeve dhe publicistikës, duke botuar vepra me karakter poetik dhe historik, mes tyre edhe “Labëria Magjike”, si dhe shkrime mbi historinë e mjekësisë dhe figurat e shquara të shëndetësisë shqiptare.









