Asnjë ligj për gjuhën shqipe nuk do ta zgjidhë dot përdorimin e saj institucional në RMV
Në diskursin publik të Maqedonisë së Veriut, sa herë që luhaten pozicionet politike apo afrohen ciklet zgjedhore, tema e gjuhës shqipe rikthehet si kalë beteje. Ritundohen të njëjtat premtime, ringjallen të njëjtat debate, dhe “shiten” të njëjtat suksese të supozuara ligjore. Mirëpo, e vërteta e zhveshur nga propaganda është krejt tjetër: problemi i shqiptarëve në RMV nuk janë ligjet, por Kushtetuta nga e cila ato burojnë.
Trashëgimia e Titos dhe kurthi i “kombësisë”
Për të kuptuar ngatërresën e sotme juridike, duhet të kthehemi te zanafilla e saj historike. Nocioni “kombësi” (pakicë kombëtare) ishte një sajesë e periudhës së Titos. Ndonëse shqiptarët numëronin mbi 3 milionë banorë në ish-Jugosllavi, ky term u përdor qëllimisht për t’ua mohuar statusin e popullit shtetformues.
Sot, në Maqedoninë e Veriut, ne vazhdojmë të vuajmë nga e njëjta amnezi e qëllimshme juridike. Kushtetuta aktuale nuk na trajton si komb sovran dhe bashkë-aksionarë të këtij shteti, por si një pakicë statistikore.
Ligjet që miratohen mbi këtë bazë kushtetuese nuk janë asgjë më shumë se “arrnime” mbi një pëlhurë të vjetruar.
Vlefshmëria politike përballë asaj juridike
Çdo ligj për gjuhët që sillet në Parlamentin e RMV-së, pa u prekur preambula dhe neni bazë i Kushtetutës, ka vetëm vlefshmëri politike dhe assesi juridike. Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Përdorimi i shqipes mbetet i afatizuar dhe i kushtëzuar nga vullneti i partnerit maqedonas në qeveri.
Gjuha trajtohet si “lëshim” apo “pazar politik”, dhe jo si e drejtë natyrore e patjetërsueshme.
Ajo mbetet e ndryshueshme në varësi të numrave në Parlament apo vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sa herë që një e drejtë kombëtare rregullohet me ligj të thjeshtë e jo me Kushtetutë, ajo nuk është e drejtë, por është “mëshirë” politike e momentit.
Farsa e “ekspertëve” dhe përfitimet personale
Trumbetimi mediatik nga politikanët, analistët e paguar dhe “ekspertët” e oborreve partiake nuk është gjë tjetër veçse një farsë e madhe. Gjatë dy dekadave të fundit, kjo temë është ricikluar sa herë që klasa politike ka pasur nevojë për të kamufluar dështimet në ekonomi, korrupsionin apo dëshpërimin social. Është një lojë cinike ku fitohen pikë politike dhe karriera personale, duke lënë pas dore interesin strategjik kombëtar.
Rruga përpara: Ndryshimi i madh kushtetues
Koha e improvizimeve dhe e vetëkënaqësisë me “gjysmë-ligje” duhet të marrë fund. Faktori politik shqiptar, klasa intelektuale, shoqëria civile dhe mbarë populli duhet të unifikohen rreth një kërkese të vetme, të panegociueshme: Ndryshimet e domosdoshme kushtetuese.
Nuk mund të ketë barazi të vërtetë pa fituar statusin e kombit shtetformues në RMV. Vetëm kur shqiptarët të njihen juridikisht si bashkëthemelues të këtij shteti, gjuha shqipe dhe të gjitha të drejtat tona themelore njerëzore nuk do të jenë më subjekt i pazarit të radhës politik në RMV, por një realitet i mbrojtur në tokën tonë stërgjyshore.









