Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbërritur në Prishtinë ku po zhvillon një vizitë zyrtare me një agjendë të ngjeshur takimesh me krerët më të lartë institucionalë dhe politikë të Kosovës.
Gjatë ditës, Hoxha pritet të takohet fillimisht me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e më pas me Kryeministrin Albin Kurti. Vizita e tij do të vijojë edhe me takime me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Në orën 12:10, ministri Hoxha dhe homologu i tij kosovar do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Po ashtu, ministri shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtues të partive politike në Kosovë, përfshirë Bedri Hamzën (PDK), Ardian Gjinin (AAK) dhe Lumir Abdixhikun (LDK).
Në kuadër të vizitës, Hoxha pritet të ndalet edhe në Bazën e KFOR-it, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-major Ozkan Ulutash, si dhe me pjesëtarë të kontingjentit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të angazhuar në këtë mision.









