Stërvitja e përbashkët e NATO-s me forcat e Serbis në jug të sajë, në hapësirat autentike, të banuara nga shqiptarët etnik autoktonë të asaj që quhet sllavisht (Lugina e Preshevës) që në realitet është Kosova Lindore, ka ngjallur diskutime të pashmangshme politike, ushtarake dhe diplomatike.
Për disa, nga një pikëveshtrim kjo është një procedurë normale e bashkëpunimit për sigurinë rajonale; ndërsa për të tjerë, kjo zgjon kujtime të një historie ende të pambyllur.
Koha e zhvillimit të kësaj stërvitjeje është veçanërisht domethënëse. Vetëm pak ditë më parë, një delegacion i zyrtarëve të lartë amerikan të kongresit, vizitoi komunitetin shqiptar në Kosovën Lindore.
Ky zhvillim sjell në kujtesë fillimin e viteve ’90, kur Kosova po përjetonte kulmin e terrorit shtetëror serb dhe kur kontaktet e para të drejtpërdrejta amerikane me shqiptarët, përfaqësonin shpresën e vetme për liri dhe mbijetesë politike.
Nga perspektiva e sigurisë ndërkombëtare, NATO synon të ruajë stabilitetin në Ballkan përmes komunikimit dhe bashkëpunimit edhe me shtete që nuk janë anëtare të Aleancës.
Në këtë kuadër, Serbia konsiderohet një faktor i rëndësishëm për menaxhimin e sfidave të sigurisë në rajon. Megjithatë, në planin historik dhe emocional, shqiptarët e shohin këtë bashkëpunim përmes prizmit të përvojës së tyre me regjimin që ushtroi represion sistematik në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, vizita e kongresmenëve amerikanë në Luginën e Preshevës merr një peshë të veçantë politike.
Ajo interpretohet si një rikujtim se interesimi amerikan për të drejtat e shqiptarëve në rajon mbetet i pranishëm dhe se stabiliteti afatgjatë nuk mund të ndërtohet vetëm mbi marrëveshje ushtarake, por edhe mbi respektimin e të drejtave themelore të komuniteteve vendëse.
Sot, më shumë se një çerek shekulli pas luftës së Kosovës, Ballkani vazhdon të mbetet një hapësirë ku kujtesa historike dhe interesat strategjike ndërthuren vazhdimisht. Për shqiptarët, NATO mbetet aleanca që ndaloi spastrimin etnik dhe krijoi kushtet për lirinë e Kosovës.
Për këtë arsye, çdo angazhim i saj me Serbinë vlerësohet jo vetëm përmes logjikës së sigurisë, por edhe përmes kujtesës së sakrificës dhe luftës për liri.
Një zhvillim tjetër me rëndësi në këtë kontekst është vendimi i Bordit të Paqes për të integruar oficerë ndërlidhës të Forcës, në stafin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF). Një hap ky që synon të forcojë rrjedhën e informacionit dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, duke zgjeruar koalicionin shumëkombësh të personelit që angazhohet për paqen dhe stabilizimin.
Për Kosovën, ky përfaqësim nuk është vetëm një njohje e profesionalizmit të FAK, por edhe një dëshmi e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi po merr në arkitekturën rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë, në një kohë kur çështjet e stabilitetit në Ballkan mbeten me rëndësi strategjike.
Mesazhi kryesor i këtyre zhvillimeve është i qartë se, siguria rajonale nuk mund të mbështetet vetëm në stërvitje ushtarake dhe ekuilibra strategjikë.
Pa drejtësi historike, pa respektim të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës) dhe pa një proces të sinqertë pajtimi, stabiliteti do të mbetet i brishtë.
Ndërsa prania amerikane dhe e NATO-s vazhdon të jetë garancia kryesore e paqes në rajon, e ardhmja e Ballkanit varet nga aftësia për të ndërtuar besim, barazi dhe siguri për të gjithë.









