Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të premten në Mal të Zi për samitin e nivelit të lartë, në fokus të të cilit pritet të jetë zgjerimi i bllokut evropian.
Samiti po mbahet në Tivat, një qytet bregdetar në Mal të Zi, ku po marrin pjesë udhëheqës të rëndësishëm evropianë dhe zyrtarë nga vendet kandidate.
BE-ja pritet të shqyrtojë strategji të reja gjatë këtij samiti për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, sipas presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili e zhvilloi një turne në këto vende këtë javë për t’i paraprirë samitit.
Gjithashtu, blloku evropian kohët e fundit është përqendruar në nxitjen e reformave në këto shtete kandidate, pas shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.
Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.
Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë më përpara në këtë rrugëtim./ REL









