-sidi education-spot_img
29.2 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sadri Ramabaja: Hapësira shqiptare në epokën e luftës hibride: sfidat e sovranitetit politik, ekonomik dhe teknologjik

Kryesoret

Në historinë moderne të Ballkanit, hapësira shqiptare ka qenë vazhdimisht objekt rivalitetesh gjeopolitike, ku interesat e fuqive rajonale dhe ndërkombëtare janë kryqëzuar me aspiratat e shqiptarëve për vetëvendosje dhe sovranitet.

Megjithëse fundi i shekullit XX solli ndryshime të rëndësishme në statusin politik të shqiptarëve, veçanërisht me çlirimin e Kosovës dhe konsolidimin e shtetit shqiptar në kuadër të NATO-s, konkurrenca për ndikim në hapësirën shqiptare nuk është zhdukur. Përkundrazi, ajo po merr forma të reja, të përshtatura me realitetet e shekullit XXI.

Në këtë kontekst, teknologjitë e informacionit, inteligjenca artificiale, rrjetet sociale dhe mjetet e komunikimit masiv janë shndërruar në instrumente të rëndësishme të ushtrimit të ndikimit politik. Betejat e së ardhmes nuk zhvillohen vetëm në kufijtë fizikë të shteteve, por edhe në hapësirën digjitale, në fushën e perceptimeve publike dhe në kontrollin e narrativave strategjike.

Për ta hedhur dritë më shumë në problematikën që ka për objekt kjo ese politike, argumentin dua ta mbështesë në qsjen teorike të realizmit ofensiv të John Mearsheimer-it.

Realizmi ofensiv i Mearsheimerit ofron një shpjegim më të drejtpërdrejtë të sjelljes së shteteve në epokën tonë. Sipas tij, fuqitë rajonale kërkojnë vazhdimisht të maksimizojnë ndikimin e tyre dhe të pengojnë shfaqjen e rivalëve potencialë në hapësirat që i konsiderojnë pjesë të interesit të tyre strategjik. Në këtë kuptim, përpjekjet për të kufizuar konsolidimin e faktorit shqiptar mund të interpretohen jo si fenomene episodike, por si pjesë e logjikës së zakonshme të konkurrencës ndërmjet aktorëve shtetërorë në Ballkan.

Në këtë kuadër teorik, krizat institucionale në Kosovë dhe fenomeni i përqendrimit oligarkik të kapitalit në Shqipëri marrin një dimension më të gjerë sesa ai i politikës së përditshme. Ato nuk janë vetëm probleme të qeverisjes së brendshme, por edhe faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin e kombit shqiptar për të vepruar si subjekt i pavarur në arenën rajonale. Një shtet me institucione të brishta, ekonomi të varur dhe elitë politike të fragmentuar është më i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, pavarësisht nga aleancat formale që mund të ketë.

Në literaturën bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, koncepti i luftës hibride përshkruan kombinimin e mjeteve politike, ekonomike, informative, teknologjike dhe psikologjike për arritjen e objektivave strategjike pa përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës ushtarake. Në këtë kuadër, shtetet që synojnë të ruajnë ose zgjerojnë ndikimin e tyre rajonal nuk mbështeten më ekskluzivisht në instrumentet tradicionale të diplomacisë apo të fuqisë ushtarake.

Në rastin e Ballkanit Perëndimor, rivalitetet historike vazhdojnë të manifestohen përmes përpjekjeve për të orientuar proceset politike, për të ndikuar opinionin publik dhe për të kushtëzuar zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit. Për rrjedhojë, hapësira shqiptare mbetet një arenë ku ndërthuren interesa të ndryshme strategjike, shpeshherë të artikuluara përmes aktorëve politikë, ekonomikë apo mediatikë vendas.

Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e avancuara të komunikimit po e rrisin ndjeshëm potencialin e këtyre proceseve. Manipulimi i informacionit, prodhimi i përmbajtjeve sintetike, ndikimi algoritmik mbi opinionin publik dhe fragmentimi i diskursit shoqëror po bëhen pjesë integrale e arkitekturës së re të konkurrencës gjeopolitike.

Prandaj, sfida themelore për shqiptarët në dekadat e ardhshme nuk lidhet vetëm me ruajtjen e sovranitetit territorial, por me ndërtimin e asaj që literatura bashkëkohore e sigurisë e quan reziliencë kombëtare. Kjo nënkupton aftësinë e shtetit dhe të shoqërisë për t’u përballur me presionet ekonomike, informative, teknologjike dhe politike pa humbur autonominë e vendimmarrjes.

Në këtë kontekst, çdo model zhvillimi që krijon varësi të reja strategjike duhet shqyrtuar me kujdes. Insistimi i partnerëve ndërkombëtarë që Kosova të orientohet drejt gazit të lëngshëm si burim kryesor energjetik ngre pikëpyetje të rëndësishme në raport me reziliencën kombëtare. Kosova nuk disponon aktualisht as infrastrukturën e nevojshme, as kapacitetet teknike dhe as traditën institucionale për t’u mbështetur në një sistem të tillë energjetik. Për pasojë, një tranzicion i imponuar dhe i papërshtatur me kushtet reale të vendit mund të krijojë forma të reja varësie ekonomike, teknologjike dhe gjeopolitike.

Në një intervisët dhënë tV publik të Kosovës [RTK] më 6 qershor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për çështjen e energjisë dhe gazit amerikan, ritheksoi qëndrimin e tij se Kosova është më e interesuar për shfrytëzimin e burimeve të veta sesa për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror. Ai deklaroi: “Jemi të interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe.”

Por në deklarimin e tij, Albin Kurti nuk e refuzoi gazin amerikan si burim energjie. Përkundrazi, ai la të kuptohet se Kosova synon të përfshihet në projektin energjetik të Vlorës, duke e parë atë si një platformë të përbashkët shqiptare. Sipas interpretimit të deklaratës së tij, ideja është që Kosova të jetë bashkëaksionare ose partnere në kapacitetet energjetike që lidhen me terminalin LNG dhe termocentralin e Vlorës, çka do t’i mundësonte të përfitonte energji të prodhuar nga gazi amerikan pa qenë e domosdoshme të ndërtojë menjëherë rrjet të brendshëm të gazifikimit.

Kjo qasje përputhet me idenë e krijimit të një tregu energjetik shqiptar më të integruar, ku Vlora do të mund të shërbente si nyje energjetike për gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.


Rezilienca kombëtare nuk matet vetëm me aleancat që një shtet posedon, por edhe me aftësinë për të ruajtur kontrollin mbi sektorët strategjikë dhe për të marrë vendime që burojnë nga interesat afatgjata të shoqërisë së vet. Në këtë kuptim, diversifikimi i burimeve energjetike, shfrytëzimi i potencialeve vendore dhe zhvillimi gradual i kapaciteteve të brendshme paraqiten si komponentë më të qëndrueshëm të sigurisë kombëtare sesa adoptimi i modeleve që mund ta bëjnë vendin të varur nga zinxhirë të rinj furnizimi dhe nga vendimmarrje të jashtme.

Në fund, nëse shekulli XIX ishte epoka e mbijetesës kombëtare, ndërsa shekulli XX ai i çlirimit dhe shtetformimit, shekulli XXI po shfaqet si epoka e konsolidimit të fuqisë kombëtare. Në këtë fazë historike, suksesi i shqiptarëve nuk do të matet vetëm me ekzistencën e shteteve të tyre, por me aftësinë e tyre për t’i bërë ato qendra të dijes, zhvillimit ekonomik, inovacionit teknologjik dhe sigurisë strategjike. Vetëm atëherë hapësira shqiptare do të pushojë së qeni objekt i rivaliteteve gjeopolitike dhe do të shndërrohet në subjekt të mirëfilltë të tyre.

Dobësitë e brendshme si faktor i cenueshmërisë

Megjithatë, analiza e proceseve gjeopolitike dëshmon se ndikimi i jashtëm rrallëherë është vendimtar në vetvete. Ai bëhet efektiv vetëm atëherë kur mbështetet mbi dobësi të brendshme institucionale, ekonomike, politike ose shoqërore. Historia e kombeve të vegjël dëshmon se sfida kryesore për mbijetesën dhe konsolidimin e tyre nuk vjen domosdoshmërisht nga fuqia e aktorëve të jashtëm, por nga aftësia e tyre për të ndërtuar institucione funksionale, ekonomi konkurruese dhe elitë politike me vizion strategjik.

Në këtë kuptim, zhvillimet politike në Kosovë paraqesin një sfidë të rëndësishme jo vetëm për funksionalitetin e shtetit, por edhe për perspektivën afatgjatë të faktorit shqiptar si tërësi. Bllokadat institucionale, polarizimi i tejzgjatur politik dhe përplasjet e vazhdueshme rreth pushtetit rrezikojnë të konsumojnë energjitë shtetformuese në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të re rikonfigurimi gjeopolitik.

Megjithatë, nëse procesi politik që po zhvillohet në Kosovë do të rezultojë me një konsolidim të ri të legjitimitetit demokratik dhe me fuqizimin e institucioneve shtetërore, atëherë zgjedhjet e 7 qershorit shënojnë më shumë se një rikonfirmim pushteti. Ato pritet të përfaqësojnë fillimin e një faze të re transformimi politik në hapësirën shqiptare.

Në këtë prizëm, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje mund të interpretohet si potencial për hapjen e një cikli të ri politik, i cili do të ndikonte jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në Shqipërinë politike dhe, në mënyrë të tërthortë, në të gjithë hapësirën shqiptare. Një sinkronizim më i madh i politikave zhvillimore, ekonomike, arsimore, energjetike dhe të sigurisë ndërmjet dy republikave shqiptare do të krijonte parakushtet për shfaqjen e një faktori shqiptar më të konsoliduar në rajon.

Nga këndvështrimi i teorive bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, fuqia e kombeve në shekullin XXI nuk matet vetëm me territorin apo popullsinë, por me aftësinë për të prodhuar zhvillim, dije, inovacion dhe stabilitet institucional. Nëse shqiptarët arrijnë të ndërtojnë një hapësirë të integruar funksionale në aspektin ekonomik, kulturor, teknologjik dhe strategjik, atëherë për herë të parë pas më shumë se një shekulli nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, faktori shqiptar mund të kalojë nga pozita e objektit të kalkulimeve gjeopolitike në atë të një subjekti me peshë reale në arkitekturën e sigurisë dhe zhvillimit të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuptim, zgjedhjet në Kosovë, siç po dëshmohet, nuk përbëjnë vetëm një ngjarje të politikës së brendshme. Ato ka gjasa reale të jenë një pikë kthese që do të përcaktojë nëse hapësira shqiptare do të vazhdojë të mbetet e fragmentuar dhe e varur nga dinamika të imponuara nga jashtë, apo do të hyjë në një fazë të re konsolidimi politik, ekonomik dhe kombëtar.

Në anën tjetër, Shqipëria po përballet me dilema serioze që lidhen me raportin ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe sovranitetit strategjik. Përqendrimi i kapitalit dhe ndikimit ekonomik në duart e grupeve të caktuara oligarkike ka krijuar debate të gjera mbi cilësinë e demokracisë dhe mbi aftësinë e shtetit për të mbrojtur interesin publik. Kontestimet që kanë shoqëruar projekte të rëndësishme zhvillimore në zona me peshë të veçantë strategjike, si Durrësi apo Zvërneci, kanë nxitur diskutime mbi kufijtë ndërmjet investimeve të huaja dhe ruajtjes së kontrollit kombëtar mbi asetet strategjike.

Sovraniteti ekonomik si kusht i sovranitetit politik

Përvoja historike e kombeve të vogla dëshmon se sovraniteti politik nuk mund të mbështetet vetëm mbi njohjen ndërkombëtare ose mbi garancitë e aleatëve. Ai kërkon një bazë të qëndrueshme ekonomike, teknologjike dhe institucionale.

Në rastin shqiptar, sfida kryesore mbetet ndërtimi i një modeli zhvillimi që mbështetet në ekonomi produktive, inovacion teknologjik dhe kapital njerëzor. Shoqëritë që zotërojnë dije, teknologji dhe kapacitete prodhuese janë më pak të ekspozuara ndaj ndikimeve të jashtme dhe më të afta për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare.

Për këtë arsye, investimi në arsim, kërkim shkencor, inteligjencë artificiale, industri të avancuara dhe siguri kombëtare nuk duhet të konsiderohet vetëm politikë zhvillimore, por pjesë e drejtpërdrejtë e strategjisë së mbijetesës kombëtare.

Përfundim

Në epokën e globalizimit digjital, sfida kryesore për hapësirën shqiptare nuk qëndron vetëm te presionet apo ambiciet e aktorëve të jashtëm. Problemi themelor lidhet me aftësinë e vetë shqiptarëve për të ndërtuar institucione funksionale, ekonomi konkurruese, kapacitete teknologjike dhe një kulturë politike të orientuar drejt interesit shtetëror dhe kombëtar.

Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dëshmon se asnjë komb nuk mund të shndërrohet në objekt manipulimi afatgjatë nëse disponon kapacitete të mjaftueshme për vetëmbrojtje politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore. Për këtë arsye, përgjigjja më e qëndrueshme ndaj çdo përpjekjeje për ndikim të jashtëm nuk gjendet te retorika politike, por te ndërtimi sistematik i fuqisë së brendshme.

Në rastin shqiptar, kjo fuqi nuk mund të konceptohet më vetëm brenda kufijve formalë të shteteve ekzistuese. Ajo lidhet gjithnjë e më shumë me shkallën e integrimit ekonomik, arsimor, kulturor, teknologjik dhe strategjik të të gjithë hapësirës shqiptare. Sa më i lartë të jetë ky nivel integrimi, aq më e madhe do të jetë aftësia e faktorit shqiptar për të vepruar si subjekt i pavarur në proceset rajonale dhe ndërkombëtare.

Nga kjo perspektivë, mund të argumentohet se forma më e avancuar e këtij integrimi do të ishte krijimi gradual i një strukture federative shqiptare, si rezultat i proceseve demokratike, i vullnetit politik të qytetarëve dhe i harmonizimit të interesave strategjike mbarëkombëtare. Pavarësisht emërtimit institucional që mund të marrë në të ardhmen, thelbi i këtij projekti mbetet ndërtimi i një hapësire të përbashkët shqiptare të zhvillimit, sigurisë dhe dijes.

Vetëm nëpërmjet një procesi të tillë konsolidimi, faktori shqiptar mund të kalojë nga pozita historike e objektit të rivaliteteve gjeopolitike në statusin e një subjekti me peshë reale në arkitekturën politike, ekonomike dhe të sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit