-sidi education-spot_img
21.6 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Skënder Asani: Nga Shkupi 1924 te Shkupi 2026: Triumfi i gjeografisë mbi hegjemoninë

Kryesoret

Nga Shkupi 1924 te Shkupi 2026: Triumfi i gjeografisë mbi hegjemoninë

Për afro dy mijë vjet, qytete si Shkupi, Manastiri, Ohri, Dibra, Prizreni, Korça dhe Durrësi kanë funksionuar brenda të njëjtës hapësirë ekonomike dhe komunikimi. Tregtia, kultura dhe politika janë zhvilluar mbi bazën e kësaj rruge natyrore (Via Egnatia) që lidhte Adriatikun me brendësinë e Ballkanit.

Nëse Beteja e Kumanovës e vitit 1912 shënoi fillimin e epokës së mureve, Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 nisi procesin e rrënimit të tyre. Përfundimi i Korridorit VIII pritet të përfaqësojë rikthimin përfundimtar të një rendi historik që për dy mijë vjet ka garantuar zhvillim ekonomik, shkëmbim kulturor dhe stabilitet relativ në këtë pjesë të Evropës.


Në historinë e popujve ekzistojnë ngjarje që, ndonëse në pamje të parë ndahen nga dekada apo shekuj, në thelb përbëjnë kapituj të së njëjtës vazhdimësi historike. Një rast i tillë paraqitet në ngjashmërinë e jashtëzakonshme ndërmjet Konferencës së Përfaqësuesve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e mbajtur në Shkup më 10 – 12 maj 1924, dhe Forumit Ekonomik Maqedoni e Veriut – Shqipëri “Përtej Kufijve”, të zhvilluar po më 12 maj, saktësisht 102 vjet më vonë.

Megjithëse të zhvilluara në rrethana krejtësisht të ndryshme politike, këto dy ngjarje lidhen nga një ide e përbashkët historike: rivendosja e korridorit natyror Lindje – Perëndim, i cili për më shumë se dy mijëvjeçarë ka shërbyer si arteria kryesore e komunikimit ekonomik, kulturor dhe politik ndërmjet Adriatikut, Ballkanit qendror dhe Lindjes.

Historia e këtij korridori është shumë më e vjetër se vetë shtetet moderne ballkanike. Në epokën romake, Via Egnatia dhe degëzimet e saj përbënin rrugën perandorake që lidhte Romën me Kostandinopojën. Siguria e garantuar nga legjionet romake krijonte kushtet themelore për zhvillimin e tregtisë, qarkullimin e mallrave dhe komunikimin ndërmjet qytetërimeve. Në Perandorinë Romake, rrugët nuk ishin vetëm infrastrukturë; ato ishin instrumente të zhvillimit ekonomik dhe të integrimit politik.

Ky funksion vazhdoi edhe gjatë periudhës bizantine. Për shekuj me radhë, Perandoria Bizantine e mbajti funksional boshtin Lindje – Perëndim, duke e shndërruar atë në urën kryesore të komunikimit ndërmjet Evropës dhe Azisë. Më pas, për afro pesë shekuj, Perandoria Osmane ruajti të njëjtën logjikë strategjike. Ndryshuan perandoritë dhe sistemet politike, por jo funksioni historik i korridorit: lëvizja e njerëzve, mallrave, ideve dhe kapitalit.

Për afro dy mijë vjet, qytete si Shkupi, Manastiri, Ohri, Dibra, Prizreni, Korça dhe Durrësi kanë funksionuar brenda të njëjtës hapësirë ekonomike dhe komunikimi. Tregtia, kultura dhe politika janë zhvilluar mbi bazën e kësaj rruge natyrore që lidhte Adriatikun me brendësinë e Ballkanit.

Kjo vazhdimësi historike u ndërpre në mënyrë dramatike nga Lufta e Parë Ballkanike. Fitorja serbe në Betejën e Kumanovës në tetor të vitit 1912 nuk shënoi vetëm fundin e sundimit osman në rajon; ajo shënoi fillimin e një epoke të re të kufijve artificialë, pengesave politike dhe dominimit kombëtar. Për herë të parë pas shumë shekujsh, boshti natyror Lindje – Perëndim u fragmentua nga kufijtë e rinj shtetërorë.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe më pas Konferenca e Versajës jo vetëm që i njohën këta kufij, por legjitimuan një rend të ri gjeopolitik të ndërtuar mbi copëzimin e një hapësire që historikisht kishte funksionuar si një tërësi ekonomike. Qytetet e sotme të Maqedonisë së Veriut u shkëputën nga lidhjet e tyre tradicionale me Shqipërinë. Rrjedhat shekullore tregtare u ndërprenë. Korridori ekonomik që kishte funksionuar për më shumë se dy mijëvjeçarë u paralizua.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe iniciativa shqiptare e vitit 1924. Dokumentacioni i Konferencës së Dhomave të Tregtisë në Shkup dëshmon qartë se elitat ekonomike të kohës e kishin kuptuar se stagnimi i rajonit ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kufijve të mbyllur dhe e ndërprerjes së rrugëve tradicionale të komunikimit.

Raporti i Dhomës Tregtare të Shkupit përshkruante me saktësi pasojat ekonomike të izolimit. Ai konstatonte se Prizreni, Gjakova, Dibra, Ohri dhe Manastiri po humbnin rëndësinë e tyre ekonomike për shkak të kufijve të mbyllur, mungesës së infrastrukturës moderne dhe pengesave administrative. Dokumenti propozonte ndërtimin e hekurudhave Manastir – Ohër dhe Ferizaj – Prizren, modernizimin e rrugëve, lehtësimin e qarkullimit tregtar dhe rikthimin e lidhjeve ekonomike me Shqipërinë.

Paralelisht me këtë iniciativë, qeveria shqiptare e vitit 1924 ndërmori edhe hapa të tjerë për të rikrijuar lidhje me trevat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Londrës. Dërgimi i komisioneve arsimore në viset shqiptare të ish – vilajeteve shqiptare synonte forcimin e vetëdijes kombëtare dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe. Në thelb, bëhej fjalë për një përpjekje të gjerë për të rivendosur lidhjet natyrore ndërmjet Shkupit dhe Manastirit, dy qendrave të rëndësishme të ish  vilajeteve shqiptare.

Ndërsa ekonomistët dhe tregtarët diskutonin për tregtinë, infrastrukturën dhe zhvillimin, politika zyrtare e Beogradit ndiqte një kurs krejtësisht tjetër: kolonizimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Për rrjedhojë, përpjekja për të rehabilituar korridorin ekonomik binte ndesh me logjikën e dominimit shtetëror.

Kjo gjendje vazhdoi deri më 9 qershorë të vitit 1999. Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar pas ndërhyrjes ajrore të NATO’s kundër Serbisë, shënoi fundin e rendit të krijuar në vitin 1912. Në aspektin historik, ajo simbolizoi kapitullimin e modelit hegjemonik që kishte penguar funksionimin normal të korridorit natyror të Ballkanit për gati një shekull.

Pas vitit 1999 u krijua një mundësi reale për rikthimin e këtij korridori në funksionin e tij historik. Megjithatë, edhe pse pa mundësi për ta ndalur drejtpërdrejt këtë proces, Serbia është përpjekur gjatë dy dekadave të fundit ta ngadalësojë atë përmes metodave të ndryshme. Përmes rrjeteve të ndikimit, instrumenteve politike dhe projekteve alternative gjeopolitike është tentuar të ruhet paradigma tradicionale e kontrollit mbi drejtimet strategjike të Ballkanit.

Megjithatë, faktet historike janë dëshmuar më të fuqishme se kalkulimet politike. Sot, Korridori VIII është realizuar në më shumë se nëntëdhjetë për qind të kapaciteteve të tij dhe është shndërruar në një proces historik praktikisht të pakthyeshëm.

Paradoksi qëndron në faktin se, pikërisht në prag të përfundimit të tij, në Maqedoninë e Veriut janë shfaqur që nga viti 2024 tendenca politike që synojnë pengimin e realizimit të plotë të këtij projekti, duke e mbajtur vendin të bllokuar në procesin e integrimit evropian. Koncepti i të ashtuquajturës “Botë Serbe”, i promovuar nga aktorë të caktuar brenda strukturave politike dhe institucionale, vazhdon të ndikojë në frenimin e këtij orientimi strategjik.

Por historia e korridoreve të mëdha nuk shkruhet nga qeveri kalimtare. Ajo diktohet nga nevojat afatgjata të qytetërimeve. Ashtu siç Perandoria Romake, Bizanti dhe Perandoria Osmane garantuan funksionimin e kësaj rruge për shekuj me radhë, sot NATO paraqitet si garantuesi kryesor i sigurisë së saj. Në këtë kuptim, Korridori VIII nuk është vetëm një korridor tregtar; ai është edhe korridori strategjik i NATO-s.

Nga perspektiva historike, ka një simbolikë të thellë fakti që më 12 maj 1924 elitat shqiptare u përpoqën të rivendosnin lidhjet ekonomike me Shkupin dhe Manastirin, ndërsa saktësisht 102 vjet më vonë, po më 12 maj, ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, organizoi në Shkup Forumin Ekonomik Maqedoni e Veriut – Shqipëri “Përtej Kufijve”.

Ky forum nuk ishte thjesht një takim biznesi. Ai përfaqësonte vazhdimësinë moderne të vizionit të artikuluar në vitin 1924. Mesazhi ishte i qartë: orientimi strategjik i Maqedonisë së Veriut duhet të mbështetet mbi zhvillimin ekonomik, sigurinë euro – atlantike dhe përfundimin e Korridorit VIII.

Kur ambasadori Meidani deklaroi se “gjeografia na ka bërë fqinjë, historia na ka afruar, ndërsa ekonomia duhet të na bëjë partnerë të pazëvendësueshëm”, ai përmblodhi në një fjali përvojën historike të dy mijëvjeçarëve të fundit. Po kështu, kur theksoi nevojën për më shumë lidhje, më shumë besim dhe bashkëpunim praktik, ai artikuloi formulën e vetme që ka garantuar stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në historinë e Ballkanit.

Ekonomisti maqedonas Branko Azeski nënvizoi domosdoshmërinë që dy shtetet të bashkojnë potencialet e tyre ekonomike dhe të ndërtojnë forma bashkëpunimi me vlerë miliarda euro. Ky qëndrim përfaqëson fitoren e logjikës së zhvillimit mbi logjikën e konfliktit.

Përfundimi dhe funksionalizimi i plotë i Korridorit VIII do të shënojë shembjen përfundimtare të hegjemonive që kanë penguar rrjedhën normale të historisë në Ballkan për më shumë se një shekull. Ai do të hapë horizonte të reja për dialog ndërkulturor, bashkëpunim ekonomik dhe integrim rajonal. Mbi të gjitha, do të rrëzojë përfundimisht iluzionin se Ballkani mund ta ndërtojë të ardhmen mbi konfliktet, barrierat dhe ndarjet.

Nëse Beteja e Kumanovës e vitit 1912 shënoi fillimin e epokës së mureve, Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 nisi procesin e rrënimit të tyre. Përfundimi i Korridorit VIII pritet të përfaqësojë rikthimin përfundimtar të një rendi historik që për dy mijë vjet ka garantuar zhvillim ekonomik, shkëmbim kulturor dhe stabilitet relativ në këtë pjesë të Evropës.

Në këtë kuptim, Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt infrastrukturor. Ai përfaqëson kthimin e historisë në rrjedhën e saj natyrore.

Shkup, 8 qershor 2026

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit