Ushtria iraniane ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të përballet me “sulme edhe më të rënda dhe më të përhapura” nëse vazhdon goditjet ndaj territorit të Iranit.
Paralajmërimi vjen pas konfirmimit nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) se janë kryer sulme ndaj objektivave iraniane, të cilat Uashingtoni i cilëson si vetëmbrojtje pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak Apache.
Në kundërpërgjigje, Teherani njoftoi sulme ndaj objektivave të lidhura me forcat amerikane në Jordani dhe Kuvajt, ndërsa Bahreini raportoi tentativa sulmesh në territorin e tij.
Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore, Shtabi Qendror Khatam al Anbiya paralajmëroi se çdo agresion i ri do të sjellë “sulme më të rënda dhe më të përhapura ndaj objektivave të përcaktuara në rajon”.
Tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.









