-sidi education-spot_img
26.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Mandati i Rashiqit dhe kriza e përfaqësimit serb në Kosovë!

Kryesoret

Edhe pse rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit fitoi një mandat deputeti në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe e konteston legjitimitetin e tij politik, duke pretenduar se ai është siguruar nga votat e shqiptarëve.

Kundërshtimi i mandatit të Rashiqit nga Lista Serbe, por edhe nga Beogradi zyrtar, që e mbështet këtë parti udhëheqëse të serbëve në Kosovë, hap një debat më të gjerë për përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë, si dhe për funksionimin e sistemit të ulëseve të rezervuara për komunitetet joshumicë.

Lista Serbe, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb, këmbëngul se është përfaqësuesja e vetme legjitime dhe e akuzon Rashiqin se po përpiqet t’ia “vjedhë” mandatin me vota të zgjedhësve që nuk i përkasin këtij komuniteti.

Rashiq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, i hedh poshtë këto pretendime dhe thotë se pjesën më të madhe të mbështetjes e ka marrë pikërisht nga serbët, si dhe nga votuesit e komuniteteve tjera joshumicë, me të cilët ka bashkëpunuar gjatë dy mandateve si ministër për Komunitete dhe Kthim.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe – gjithnjë sipas rezultateve preliminare – ka marrë rreth 43.000 vota, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka marrë 5.285 vota.

Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA) në Mitrovicë të Veriut, thekson se, nga pikëpamja juridike, nuk ka asnjë dilemë rreth mandatit të Rashiqit, pasi partia e tij ka marrë mjaftueshëm vota për një vend deputeti.

Ai thotë se kontestimi i këtij mandati nga Lista Serbe nuk buron nga procesi zgjedhor, por nga veprimtaria politike e Rashiqit.

Rashiq është bashkëpunëtor i afërt i Albin Kurtit, në qeverinë e të cilit ka shërbyer si ministër në dy mandate.

Qeveria e Kurtit, ndër të tjera, ka mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ka hapur çështjen e integrimit të sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në atë të Kosovës.

“Thelbi i mosmarrëveshjes nuk është nëse mandati i tij është i ligjshëm, por nëse është përfaqësues. Rashiq e ka lidhur pozitën e tij politike me Qeverinë e Albin Kurtit në kohën kur një pjesë e madhe e komunitetit serb e sheh atë qeveri si kërcënim për interesat e tij politike dhe ekzistenciale”, thekson Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë arsye, shton ai, ngrihet edhe një pyetje legjitime politike – nëse partia e tij përfaqëson kryesisht interesat e komunitetit serb apo interesat e shumicës qeverisëse, të cilës i jep mbështetje?!

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, nuk ka dilema për legjitimitetin e mandatit të Rashiqit dhe pohon se ai është i ligjshëm.

Ai thotë se votat nga komunitetet tjera nuk e zvogëlojnë rezultatin e tij dhe nuk e vënë në pikëpyetje sistemin e ulëseve të rezervuara.

“Sipas vendimeve të mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë mund të marrin vota nga komunitetet tjera. Nuk ka asgjë kontestuese. Çdokush që jeton në Kosovë, ka të drejtë të votojë lirshëm sipas bindjes së tij”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Kryeziu thekson se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të përfaqësojnë interesat e të gjitha komuniteteve, pavarësisht këtyre ulëseve të rezervuara./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit