Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhviluar sot një konferencë me gazetarët e BE, i cili ka folur për integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke thënë se duhet të bindim çdo skeptik.
Ndërkohë sa i përket çështjes së Zvërnecit, ai përsëriti se nuk ka ende një projekt të miratuar, por edhe kur të ketë do t’i vijë në ndihmë ekonomisë.
Fjal e Hoxhajt
Çelja e kapitujve, negociatave, është shumë e rëndësishme për ata që merren me këtë punë profesionalisht. Por nuk është aq e lehtë t’ia shesësh opinionit publik që këto gjëra janë vërtet të rëndësishme, që këto që ne bëjmë janë të qenësishme me efektin e vet dhe që ndikimi i tyre do të vazhdojë të vijë. Ndoshta ka nevojë që të jemi edhe më praktikë, të tregojmë disa gjëra konkrete. Më lejoni t’ju jap disa shembuj.
Unë kam qenë në Bruksel disa herë dhe në takime, natyrisht në takime informuese. Kur shkoj në Bruksel, unë shkoj gjithmonë me një mesazh, që ne jemi të përafruar 100% me çdo vendim të BE-së. Kur BE cakton sanksione, vendos sanksione, ato bëhen sanksionet tona. Kur BE merr vendime në arenën ndërkombëtare, ato bëhen vendimet tona. Kur BE ka misionet e veta, ato bëhen edhe misionet tona. Pra, çdo gjë që mendohet në atë tryezë, për të bie dakord qeveria e Shqipërisë. Pse të mos jemi ne në atë tryezë? Ne nuk jemi anëtarë ende, nuk mund të marrim vendime, por që të jemi aty dhe të paktën të dëgjohemi, të kemi vendin tonë, të marrim fjalën, të japim mendimin tonë. Pra, kjo është ajo të mendosh ndryshe.









