Shkrimtarja e njohur shqiptare, Elvira Dones, me anë të një postimi të gjatë në facebook ka reaguar në mbështetje të protestave masive që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit nisen drejt Kryeministrisë: Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!
Postimi i Dones
Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre.
E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.
Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe.
Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri.









