Qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë për vitin 2026 ka arritur në 721 euro në muaj, sipas të dhënave të agjencive imobiliare.
Teksa çmimet e qirave vijojnë të rriten, të ardhurat mujore nuk po ndjekin të njëjtin ritëm, duke e kthyer koston e strehimit me qira afatgjatë, përtej kufijve të përballueshmërisë së rekomanduar nga koeficienti ndërkombëtar, por edhe një nga sfidat më të mëdha financiare për individët dhe familjet.
Ekspertja e tregut të pasurive të paluajtshme, njëkohësisht dhe menaxhere ekzekutive e agjencisë “Colliers International Albania” Stela Dhami thotë se shpenzimet mujore për qiranë konsiderohen të përballueshme nëse zënë jo më shumë se 30% të të ardhurave mujore të një familje.
Sipas koeficientit ndërkombëtar që përdoret për vlerësimin e përballueshmërisë së strehimit, qiraja konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30% të ardhurave mujore bruto të familjes ose individit.
Kur qiraja kalon mbi 30% të të ardhurave mujore, ajo konsiderohet e papërballueshme dhe sinjalizon stres financiar te një familje për strehimin. Nëse arrin mbi 50%, kjo gjendje quhet “housing cost burden” ekstrem, që rrit rrezikun e pasigurisë në strehim./ Monitor









