“Memorandumi i Islamabadit”, dokumenti që raportohet se synon t’i japë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit me ndërmjetësimin e Pakistanit, po afrohet drejt finalizimit, sipas deklaratave të ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Ai bëri të ditur në platformën X se procesi ka shënuar përparim, ndërsa postimi i tij u ripublikua edhe nga Donald Trump, duke rritur vëmendjen ndaj zhvillimeve diplomatike.
Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se ka rrëzuar disa dronë sulmues të nisur nga Irani, të cilët dyshohet se kishin si objektiv anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Edhe në frontin libanez vijojnë përplasjet, ku forcat izraelite po kryejnë operacione kundër Hezbollahut, ndërsa raportime të pakonfirmuara flasin për sulme dhe viktima nga të dyja palët.
Pavarësisht diskutimeve për një draft-marrëveshje, ende nuk ka qartësi mbi elementët kyç si tërheqja e forcave dhe ndalimi i operacioneve ushtarake, të cilat konsiderohen thelbësore për një armëpushim të qëndrueshëm.
/5pyetjet.al









