-sidi education-spot_img
18.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sadri Ramabaja: Nga revolta qytetare te kriza e regjimit: nevoja për një front moral kombëtar

Kryesoret

Historia e regjimeve me prirje autoritare na mëson se pushteti rrallëherë tërhiqet vetëm përballë protestës së rrugës. Edhe kur demonstratat mbushin sheshet, regjimet mbështeten në aparatin e tyre politik, administrativ, propagandistik dhe ekonomik për të fituar kohë, për të konsumuar energjinë e protestuesve dhe për ta paraqitur revoltën si një fenomen kalimtar. Pikërisht për këtë arsye, asnjë lëvizje qytetare nuk mund të mbështetet vetëm te forca e numrave. Ajo ka nevojë për aleatë të rinj, për krisje në bllokun e pushtetit dhe për një legjitimim moral që e tejkalon vetë protestën.

Në këtë kuptim, vëmendja duhet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te ajo që ndodh brenda Partisë Socialiste. Çdo strukturë politike që ka qeverisur për një kohë të gjatë krijon në gjirin e saj tensione, pakënaqësi dhe kundërshti që shpesh mbeten të heshtura nga frika, oportunizmi ose llogaritë personale. Mirëpo vjen një moment kur heshtja pushon së qeni neutralitet dhe shndërrohet në bashkëpërgjegjësi.

Sot, secili funksionar, deputet, kryetar bashkie apo figurë publike e lidhur me pushtetin përballet me një zgjedhje historike: të vazhdojë të mbrojë një sistem që po humbet besimin e qytetarëve ose të dëshmojë se interesat e vendit janë më të rëndësishme se karriera personale. Asnjë regjim nuk është rrëzuar vetëm nga presioni i jashtëm; pothuajse të gjithë kanë filluar të lëkunden kur në themelet e tyre janë shfaqur çarje politike dhe morale.

Por po aq shqetësuese sa heshtja e një pjese të establishmentit politik është edhe heshtja e elitës intelektuale. Universitetet, akademikët, studiuesit, shkrimtarët, artistët dhe personalitetet publike nuk mund të reduktohen në spektatorë të historisë. Në periudha normale, roli i tyre mund të kufizohet në prodhimin e ideve dhe debatit publik. Në periudha krizash demokratike, ky rol bëhet shumë më i madh: ata janë ndërgjegjja kritike e kombit.

Kur intelektualët heshtin përballë deformimit të institucioneve, përballë kapjes së shtetit, përballë degradimit të dialogut publik dhe përballë krizës së besimit qytetar, ata humbin pikërisht funksionin që i bën të domosdoshëm në shoqëri. Historia nuk i kujton ata që kanë zgjedhur rehati në kohë krizash; ajo kujton ata që kanë marrë përsipër barrën e së vërtetës kur kjo kishte kosto.

Prandaj, protesta nuk ka nevojë vetëm për më shumë njerëz në shesh. Ajo ka nevojë për më shumë zëra në universitete, në media, në institucionet kulturore dhe madje brenda vetë strukturave të pushtetit. Nevojitet krijimi i një fronti moral që e bën të pamundur normalizimin e krizës dhe të abuzimit me pushtetin.

Në fund të fundit, beteja që po zhvillohet nuk është vetëm për një qeveri apo për një shumicë politike. Ajo është një betejë për vetë natyrën e shtetit shqiptar dhe të ardhmen e Kombit: nëse Shqipëria politike do të mbetet një republikë e qytetarëve të lirë dhe rrjedhimisht do të marrë përgjegjësitë që ka si nukleus i Kombit apo do të rrëshqasë gjithnjë e më shumë drejt një modeli ku pushteti identifikohet me shtetin dhe ku kritika trajtohet si kërcënim.

Çdo ditë që kalon pa reagimin e elitave morale dhe pa guximin e atyre që ndodhen brenda sistemit, ia zgjatë jetën e krizës. Çdo zë që ngrihet në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të të interesit nacional… përkundrazi, e afron momentin kur pushteti do të detyrohet t’i përgjigjet jo vetëm protestuesve në rrugë, por vetë ndërgjegjes së shoqërisë.

Dhe kur një pushtet fillon të humbasë mbështetjen morale të shoqërisë dhe besnikërinë e heshtur të njerëzve të vet, ai mund të vazhdojë të duket i fortë në sipërfaqe, por në të vërtetë ka hyrë në fazën e pakthyeshme të konsumimit politik.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit