Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas bllokimit të autostradës Tiranë–Durrës dhe aksit që lidh kryeqytetin me aeroportin e Rinasit, gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë në pyetje disa nga organizatorët e tubimit. Mes tyre përmendet edhe Gent Progni, i cili sipas pamjeve të administruara nga policia dyshohet se ka drejtuar marshimin e protestuesve.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai pritet të hetohet në gjendje të lirë për veprat penale të prishjes së qetësisë publike, bllokimit të rrugëve dhe organizimit të një tubimi të paligjshëm.
Sipas të njëjtave burime, në përfundim të protestës, Progni ka njoftuar vijimin e marshimit drejt zonës së Rinasit.
Ndërkohë, policia ka sekuestruar dhe po verifikon pamjet filmike të protestës, me qëllim dokumentimin e itinerarit dhe rolit të personave të përfshirë në organizim.
/5pyetjet.al









