Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me të rinjtë që sot protestojnë në Tiranë dhe do të turpërohet nga ata që duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin e sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë.
Këto protesta janë investimi i vetëm që i garanton Shqipërisë një të ardhme të sigurt dhe dalje nga përbuzja që ia bënë burrështetasit që nuk ndërtonin, por rrënonin shtet.
Dhe pas këtyre protestave rinore në Tiranë – si pas të gjitha ngjarjeve që ndajnë epokat mes tyre – do të ketë nga ata që do të mburren me to dhe nga ata që do ta arsyetojnë jargavitjen ndaj Piktorit, i cili i ushqente ata begatshëm që të mund të jargaviteshin sa më shumë.
Andaj këta të rinj, që i thanë mjaft përbuzjes që as armiqtë nuk kanë mundur t’ia bëjnë shqiptarisë, do të jenë ata para të cilëve do të turpërohemi ne që u jargaviteshim burrështetasve të cilët nuk ndërtuan, por rrënuan shtet.
Këta të rinj duhet të përkrahen dhe të mbrohen nga “lehjet” e Piktorit dhe nga kafshimet e hienave mediatike të “Rilindjes”, të cilat e mbrojnë Shqipërinë e hajdutëve dhe kriminelëve, ngaqë e dinë se, posa mëmëdheu t’u kthehet shqiptarëve, ata do të mbeten pa grazhdin e krimit që i ushqen.









