Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë.
Brohoritni edhe më zëshëm kundër plehut politik tridekadësh që e ka mbuluar Shqipërinë, sepse vetëm zëri juaj mund ta shpërlajë mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk u jepet në duar as një kooperativë bujqësore, e jo më fati i një shteti dhe një populli.
Mos lejoni t’ju hutojnë ‘mendjendriturit’ e shumtë që kanë mbuluar ekranet e turpit televizivë dhe që janë kundër çdo gjëje që do e zhbënte tregun ku ata e kanë shitur shpirtin.
Investimi i vetëm kapital dhe i vetmi projekt që i garanton Shqipërisë një të ardhme të sigurt jeni ju që keni mbushur bulevardet e qyteteve të mëmëdheut, është zëri rinor që i rifreskon damarët e atdheut me shpresë dhe krenari.









