Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka deklaruar se Bashkimi Europian është në dijeni të protestave dhe zhvillimeve të fundit në vend.
Ai theksoi se këto protesta reflektojnë shqetësime serioze të qytetarëve, të lidhura me probleme sociale, ekonomike dhe perspektivën e të rinjve në Shqipëri.
“Mendoj se ne jemi në dijeni të këtyre protestave dhe, nga ana tjetër, jemi gjithashtu të vetëdijshëm për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Shqipëria ka një sistem politik shumë dinamik, ku shpesh rruga përdoret si formë e shprehjes politike. Mendoj se shqetësimet e njerëzve që protestojnë janë serioze. Veçanërisht kur përdoret termi ‘largimi i trurit’ (brain drain), bëhet fjalë për njerëz që ndodhen përballë zgjedhjes nëse duhet të kërkojnë mundësi jashtë vendit apo të qëndrojnë në Shqipëri,” u shpreh Schieder.









