Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2026, duke parashikuar rritje fondesh për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetje për bujqësinë dhe biznesin.
Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, këto masa vijnë si rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë pesëmujorit të parë të vitit, çka ka krijuar hapësira për financime shtesë në politika sociale dhe investime publike.
“Për indeksimin e pensioneve që nis më 1 korrik është vënë në dispozicion një fond prej rreth 872 milionë lekësh. Nga viti i ardhshëm, indeksimi i pensioneve pritet të kryhet në muajin prill. Po ashtu, kemi dyfishim të pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara me një fond prej rreth 750 milionë lekësh, si dhe mbulimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre me një efekt financiar rreth 2 miliardë lekë. Në shëndetësi janë parashikuar 1.5 miliardë lekë shtesë për barnat e onkologjikut, rritje pagash për urgjencën mjekësore dhe fonde për zjarrfikësit. Në mbrojtje kemi 10.3 miliardë lekë shtesë për arritjen e objektivit të financimit në 2.6% të PBB-së, në përputhje me angazhimet ndaj NATO-s. Gjithashtu, rritet Garancia Sovrane nga 3 në 5 miliardë lekë për mbështetjen e bizneseve dhe sektorëve të ndryshëm të ekonomisë”, u shpreh Malaj.









