Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka biseduar në telefon me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai bëri të ditur se gjatë telefonatës kanë prekur disa tema, përfshirë zhvillimet në Kosovë dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Postimi i Hamzës:
Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi. Edhe me Presidentin, ashtu si me Kryetarin Veseli disa ditë më parë, folëm për Kosovën, familjet, miqtë tanë dhe, mbi të gjitha, për qytetarët që nuk kanë reshtur asnjë ditë së besuari në rikthimin e tyre.
Folëm edhe për pritjen e gjatë për drejtësi, një pritje e rënduar nga shtyrjet e vazhdueshme të shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, një gjë mbetet e qartë: drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet.
Presidentit ia përcolla përshëndetjet, pritjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, si dhe besimin se më 16 shtator drejtësia do të vihet në vend dhe ata do të kthehen të lirë në shtëpi.
Edhe ai më kërkoi t’ua përcjell përshëndetjet e tij më të përzemërta ju të gjithëve. Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë.
Dielli do të lindë përsëri!
Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!