Klubi i Futbollit Partizani ka bërë zyrtarizimin e trajnerit të ri të skuadrës, duke emëruar rumunin Florin Daniel Bratu në drejtimin e ekipit për sezonin 2026–2027.
46-vjeçari është prezantuar nga presidenti i klubit, Gazment Demi, dhe ka nënshkruar një kontratë 1+1 me “Demat e Kuq”, duke marrë përsipër drejtimin e projektit të ri sportiv të klubit.
Bratu vjen në Shqipëri pas një karriere si futbollist dhe trajner në Rumani dhe Qipro, si edhe me eksperiencë në drejtimin e Kombëtares U-21 të Rumanisë.
Për të, kjo do të jetë eksperienca e parë në futbollin shqiptar.
Partizani kishte mbetur pa trajner që prej muajit prill, pas largimit të Oltijon Kërnajës, ndërsa në periudhën e fundit klubi ka kaluar disa ndryshime në stolin teknik.
Sipas klubit, emërimi i Bratut synon të sjellë një projekt të ri dhe më ambicioz për sezonet në vijim.









