Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se qeveria është detyruar nga presioni qytetar dhe protestat të rikthejë një propozim të mëparshëm për rritjen e mbështetjes financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit kujdestarë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ajo thekson se mbështetja aktuale është e pamjaftueshme dhe e kufizuar vetëm në nivele mbijetese, ndërsa kujton edhe nismën e saj të mëparshme ligjore të refuzuar nga Kuvendi.
Reagimi i Tabakut:
Disa muaj më parë dorëzova në Kuvend një propozim ligjor për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore për prindërit e fëmijëve me autizëm dhe me sindromën Down, si dhe për rritjen e mbështetjes financiare për ta.
Socialistët, që nuk lënë taksë pa falur për një pakicë të privilegjuar, e rrëzuan këtë propozim.
Sot, të zënë në befasi nga protesta dhe zëri i qytetarëve, kanë vendosur të ndryshojnë buxhetin dhe të rrisin ndihmën. Është një hap i vogël, por dëshmi se protesta qytetare sjell rezultate.
Megjithatë, kjo nuk mjafton.
Ligji duhet të votohet. Kontributet duhet të njihen. Këta prindër meritojnë jo vetëm duartrokitjet dhe fjalët tona, por mbështetje reale, siguri sociale dhe lehtësi konkrete në jetën e tyre të përditshme.