Këshilli i Lartë i Prokurorisë që drejtohet nga Mirela Bogdani është vendosur nën shënjestër nga Fatmir Xhafaj në komisionin parlamentar. Deputeti socialist, një nga arkitektët e reformës në drejtësi tha se KLP është e paaftë. Xhafaj u ndal tek mungesa e prokurorëve por edhe qokat dhe problemet e tjera që sipas tij KLP nuk i ka zgjidhur.
“Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Në krahasim me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me çfarë i ka dhënë ligji, krahasuar me pritshmëritë e BE, ka shumë për të bërë. Keni qenë të paaftë. Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë.
Edhe për plotësimin e vakancave kërkoni 12 prokurorë, ku kishit mundësinë për më shumë, ju vetë, ndërkohë që keni mbi 100 vakanca, keni disa vakanca të fshehura, unë kam vite që e trajtoj këtë gjë. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së magjistraturës, as shtim të numrit të përgjithshëm. Si do ta zgjidhim?
Kur do të kemi një plotësim të plotë të vakancave sipas numrit aktual të prokurorëve dhe vakancave efektive? Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera, e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve” tha Xhafaj.









