Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzua edhe më tej gjatë natës, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme të reja ushtarake në rajonin e Gjirit Persik.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane goditën rreth 90 objektiva ushtarake në Iran, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, depo raketash dhe dronësh, baza detare dhe infrastrukturë ushtarake përgjatë bregdetit jugor. Sipas Uashingtonit, operacioni synon të garantojë sigurinë e transportit detar dhe të mbajë të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti Donald Trump tha se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj veprimeve iraniane kundër anijeve tregtare dhe deklaroi se Teherani ka shprehur gatishmëri për negociata, por paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj forcave amerikane do të marrë një përgjigje edhe më të fortë.
Në reagimin e saj, Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se kishte sulmuar me raketa dhe dronë katër baza amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, duke e cilësuar operacionin hakmarrje për sulmet e fundit amerikane. Teherani paralajmëroi gjithashtu se do të zgjerojë goditjet nëse ofensiva e SHBA-së vazhdon.
Përshkallëzimi i konfliktit ka rritur shqetësimet për një krizë më të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për furnizimin global me naftë.









