Shtetet e Bashkuara kanë revokuar autorizimin që lejonte shitjen e naftës iraniane, duke rikthyer në fuqi sanksionet e mëparshme vetëm pak javë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Iranin.
Lehtësimi i kufizimeve ishte parashikuar si pjesë e marrëveshjes së arritur muajin e kaluar dhe do të qëndronte në fuqi deri më 21 gusht. Megjithatë, sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Thesarit amerikan, ky autorizim është anuluar.
Vendimi ka sjellë reagim të menjëhershëm nga Teherani. Kryenegociatori iranian, Mohammad Ghalibaf, e cilësoi revokimin e autorizimit si shkelje të memorandumit të mirëkuptimit, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se, pas këtij veprimi, marrëveshja nuk mund të konsiderohet më funksionale.
Zhvillimi pritet të ndikojë në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit, si edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë.









