Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë Bekim Nikolli, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor gjatë operacionit “FAST”, pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.
Nikolli është dënuar nga Gjykata e Apelit në Napoli me 13 vite burg për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërimit/nënshtrimit.
Sipas autoriteteve italiane, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në shfrytëzimin e grave të futura në mënyrë të paligjshme në Itali.
Procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë janë duke vijuar.









