Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga vdekja e parakohshme e futbollistit Jayden Adams, trupi i të cilit u gjet këtë fundjavë në një pronë në qytetin e Cape Town.
Policia ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk është publikuar shkaku i vdekjes së 25-vjeçarit.
Adams ishte pjesë e ekipit të Afrikës së Jugut që shkroi historinë duke arritur për herë të parë fazën me eliminim direkt të një Kupe Bote. Ai luajti në të tre ndeshjet e fazës së grupeve dhe u vlerësua për kontributin e tij në paraqitjen e skuadrës.
Familja e futbollistit ka deklaruar se po pret rezultatet e autopsisë, ndërsa ka kërkuar kohë për të përballuar humbjen. Ministri i Sportit në Afrikën e Jugut u bëri thirrje qytetarëve dhe mediave të shmangin spekulimet deri në përfundimin e hetimeve.









