Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila gjatë një interviste është shprehur se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Mund të ketë vetëm tolerancë zero për deklarata të tilla. Nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon, mbështet dhe lartëson spastrimin etnik dhe personalisht jam vërtet e neveritur që kjo duhet të thuhet në këtë situatë.
Këto deklarata janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, i cili është shumë i nevojshëm, përgjegjësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian dhe pa të cilat nuk mund të zhvillohet procesi i pranimit. Ato janë gjithashtu në kundërshtim me detyrimet e Serbisë ndaj BE-së, dialogun e lehtësuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, tha Kos.









