Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në periferi të Tiranës për koncertin e shumëdebatuar Kanye West, i njohur si Ye.
Koncerti u mbajt në “Eagle Stadium”, një arenë e ngritur posaçërisht për ngjarjen dhe e promovuar nga qeveria si skena e një prej spektakleve më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri.
Një ditë pas performancës, kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të mazhorancës nxituan ta shpallnin koncertin një sukses ndërkombëtar dhe një arritje të rëndësishme për imazhin e vendit.
“Mbrëmë Shqipëria nuk organizoi thjesht një koncert,” deklaroi Rama në një video të publikuar në Facebook. “Shqipëria organizoi një ngjarje që, falë kanaleve sociale dhe famës së protagonistit, u bë në çdo cep të botës lajm,” shtoi ai.
Të njëjtin entuziazëm shfaqi edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Tirana mbrëmë ishte kryeqyteti botëror i muzikës, duke mirëpritur miq nga 80 kombe të ndryshme të botës,” shkroi Balla në rrjetet sociale.
Por përvoja e ndarë në platforma sociale nga disa prej fansave që udhëtuan drejt Tiranës dhe vlerësimit e tyre për organizimin e ngjarjes muzikore ofrojnë një tablo të ndryshme nga ajo që përshkruan qeveria.
Në forumin Reddit, fansa të artistit amerikan nga vende të ndryshme vlerësuan performancën e Ye-së, por kritikuan ashpër organizimin e eventit dhe infrastrukturën përreth stadiumit.
Në komentet e tyre, përdoruesit përshkruajnë pritje të gjata në hyrje, konfuzion gjatë kontrollit të biletave, mungesë orientimi, mungesë uji në temperatura të larta dhe probleme të tjera logjistike.
Sipas tyre, niveli i organizimit nuk përputhej me ambicien për të zhvilluar një nga koncertet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. Një nga komentet më të shpërndara në forum e përmblidhte këtë kontrast me fjalinë: “Koncerti ishte fantastik. Organizimi ishte katastrofë.”
Fansat e këngëtarit amerikan nuk anashkaluan as mënyrën se si u financua koncerti duke shprehur kritika për vendimin e qeverisë për të financuar projektin me 4 milionë euro nga fondi i emergjencave në një kohë kur vendi është përfshirë nga protesta anti-qeveritare, të nxitura nga një projekt për ndërtimin e një resorti në një zonë mjedisore të mbrojtur, i lidhur me dhëndrin presidentit amerikan, Donald Trump.
“Askush nuk është i zemëruar me YE, ne jemi të zemëruar me qeverinë tonë që përdori fondin e emergjencave”, shkruan një përdorues shqiptar.
Një tjetër e përshkruan situatën si “koha e gabuar”, duke iu referuar faktit se vendimi për financimin u mor në një periudhë protestash kundër korrupsionit të përhapur në institucionet publike.
Kritikat u zhvendosën edhe në platformat publike të vlerësimit të bizneseve, ku ‘Eagle Stadium’ u përball me një valë komentesh negative dhe vlerësime me 1 yll në Google.
Komentuesit e përshkruajnë projektin si një përdorim të papërshtatshëm të taksave të qytetarëve.
“Paratë e stadiumit u morën nga shëndetësia, arsimi dhe njerëzit”, shkruan një përdorues, ndërsa një tjetër e cilëson koncertin një aktivitet privat që “nuk duhet të financohej nga shteti”.
Një pjesë e konsiderueshme e komenteve ngre gjithashtu shqetësime për sigurinë e stadiumit, duke vënë në dyshim ritmin me të cilin u ndërtua objekti.
Disa përdorues e cilësojnë atë “shumë të rrezikshëm”, pretendojnë se “asgjë nuk është gati ende” ose se ndërtimi u bë “shpejt për përfitim dhe jo për njerëzit”.
Të tjerë kritikojnë gjendjen e rrugëve që të çojnë drejt stadiumit, duke argumentuar se infrastruktura përreth nuk i përgjigjet një eventi të promovuar si spektakli më i madh muzikor i organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Vala e komenteve negative ndaj Eagle Stadium pasojnë një valë të ngjashme vlerësimesh negative ndaj bizneseve të perceptuara si të afërta me qeverinë, fenomen që nxiti Policinë e Shtetit të njoftonte se kishte nisur hetime për identifikimin e autorëve.
Në rastin e Eagle Stadium nuk ka angazhim të forcave të rendit për verifikime nëse ka vepër penale.
“Në rast se do bëjë kallëzim patjetër që do kryejë veprimet Policia e Shtetit” u përgjigj ky institucion për BIRN./ BIRN









