Interi ka kaluar në çerekfinalet e Kupës së Italisë duke eliminuar Empolin në një ndeshje të çmendur që është zgjidhur vetëm në kohët shtesë.
Në ndeshjen ku titullar në radhët e Empolit ishte talenti i Shpresave kuqezi, Kristjan Asllani, ishte Interi që e nisi duelin me vrull dhe shënoi golin e avantazhit me anë të Sançez, “pa dashje” në lojë, pasi u aktivizua vetëm sepse Korrea u dëmtua pas pak minutash lojë.
Empoli reagoi në pjesën e dytë, kur me Bajramin e aktivizuar që në start, rriti ritmin e lojës. Pikërisht një aksion shqiptar me asistin e Asllanit dhe gjuajtjen e Bajramit solli barazimin 1-1 mes skuadrave, duke hapur plotësisht lojën. Empoli vazhdoi të sulmonte dhe vetëm pak minuta më vonë, gjeti golin e 2-1 me anë të gjuajtjes së Kutrones që u përplas në shpinë e portierit Radu para se të shkonte në rrjetë, duke iu afruar shumë një fitoreje të bujshme. Por, në minutën e 91-të erdhi barazimi me anë të Ranokias, i cili shënoi me një goditje spektakolare, për të çuar sfidën në kohët shtesë.
Aty, shënoi personi që më pak pritej, Stefano Sensi, i cili po bëhet gati të transferohet te Sampdoria dhe në teori as nuk duhej të ishte në këtë sfidë. Ai gjeti goditjen vendimtare në minutën e 104-t, për të shënuar golin e 3-2 për Interin, me rezultatin që nuk ndryshoi më dhe dekretoi kalimin e zikaltërve në çerekfinalet e Kupës së Italisë.